epa09044890 Albania Prime Minister Edi Rama during a joint press conference after an EU - Albania Association Council meeting in Brussels, Belgium, 01 March 2021. EPA/JOHN THYS / POOL

Mospërmbushja e reformave, bllokohen 228 milion euro nga Plani i Rritjes së BE

Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë në kohë fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, për shkak të vonesave në përmbushjen e reformave të kërkuara nga Komisioni Europian.

Nga financimi i përgjithshëm prej 922 milionë eurosh, deri në fund të vitit 2025 ishin disbursuar vetëm 76.2 milionë euro në formën e mbështetjes buxhetore, ndërsa për komponentin prej 228.5 milionë eurosh, të destinuar për financimin e projekteve, nuk ishte lëvruar asnjë fond.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), në auditimin e zbatimit të buxhetit të vitit 2025, vonesat në përfitimin e financimeve janë shkaktuar si nga mos-përmbushja e reformave, ashtu edhe nga mos-finalizimi i marrëveshjeve të nevojshme për administrimin e fondeve të investimeve.

Komponenti i huasë për financimin e projekteve nëpërmjet Kornizës së investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) ka një vlerë prej 228.47 milionë eurosh. Megjithëse fondet janë parashikuar në kuadër të Planit të Rritjes, deri në fund të periudhës së audituar nuk ishte realizuar asnjë disbursim.

Sipas KLSH-së, pengesa kryesore është mos-finalizimi i marrëveshjeve të kontributit me Bankën Europiane të investimeve (EIB) dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), institucione përgjegjëse për menaxhimin e këtyre fondeve.

Ndryshe nga mbështetja buxhetore, e cila transferohet në buxhetin e shtetit pas plotësimit të kushteve përkatëse, financimi i projekteve realizohet përmes mekanizmave të investimeve dhe marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare. Për sa kohë këto marrëveshje nuk janë finalizuar, fondet mbeten të pa-disbursuara, duke vonuar financimin e investimeve që parashikohen të mbështeten nga Plani i Rritjes.

Ndërkohë, problematikat në përmbushjen e reformave përfshijnë disa fusha kryesore të ekonomisë dhe institucioneve, nga qeverisja e ndërmarrjeve shtetërore dhe klima e biznesit, tek energjia, siguria kibernetike, sistemi gjyqësor dhe transparenca e financave publike.

Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Shqipërinë parashikon një financim të përgjithshëm prej 922.09 milionë eurosh, përfshirë hua dhe grante për projekte. Komponenti i huasë arrin në 657.46 milionë euro, sipas marrëveshjes së ratifikuar nga Kuvendi në mars të vitit 2025.

Përfitimi i mbështetjes financiare është i kushtëzuar nga realizimi i 95 masave cilësore dhe sasiore të Agjendës së Reformave, përmbushja e të cilave vlerësohet nga Komisioni Europian, thekson KLSH. /Monitor

About Redaksia

Check Also

Pedagogu thirrje studentëve dhe mediave: Rezistoni! Mediat të lëshojnë pushtetin e korruptuar!

Në ditën e 22 të bojkotit të universiteteve, studentë dhe pedagogë kanë vijuar rezistencën e …