Socialistët, kjo parti leniniste!

Nga Gjergj EREBARA

Kush e keqkuptoi Klosin?!

Në çdo parti demokratike, anëtarët, qofshin anëtarë të të thjeshtë, qoftë anëtarë me poste, gëzojnë të drejta statutore. Përveçse nëse shkelin ndonjë kriter të statutit, nuk mund të përjashtohen. Dhe nëse nuk bien dakord me kryetarin, mungesa e dakordësisë, përveçse nëse përbën shkelje statutore, nuk mund të jetë shkak për përjashtim.

Por edhe nëse dikush përjashtohet, në partitë demokratike, me statute demokratike, përjashtimi duhet të bëhet përmes organeve të autorizuara nga statuti për këtë funksion. Dhe të akuzuarit për shkelje statutore normalisht i lindin të gjitha të drejtat e një procesi të drejtë me garanci procedurale.

Po çfarë ndodh me Partinë Socialiste?! Me sa pashë në faqen e saj zyrtare ps.al, nuk ka ndonjë dokument me titullin “statut” të publikuar, ose së paku, motori i kërkimit google nuk nxjerr gjë.

Dhe z. Klosi njoftoi se dy socialistë janë përjashtuar “nga forumet”, por jo nga partia. Dhe se përjashtimi është bërë “pa votim”.

Me pak fjalë, vullneti i Edi Ramës qenka statut dhe votim.

Partia që përjashton njerëz nga forumet dhe i përjashton me gjyq ku Rama është njëkohësisht akuzues dhe gjyqtar, është një parti leniniste.

Vladimir Iliç Lenini ishte ai që ndaloi, në vitin 1921, fraksionet, apo “mendimin ndryshe”. Ai ishte personi që instaloi kulturën e përjashtimit, mbi baza arbitrare, të anëtarëve të partisë.

Në partitë demokratike të së majtës dhe të së djathtës në Evropë, përjashtimi nga partia është një fenomen shumë i rrallë dhe në çdo rast, i nënshtrohet garancive statutore e procedurale.

Për shembull, socialdemokratët gjermanë tentuan të përjashtonin Gerhard Schröder, ish-kancelar, për shkak se mbështeste Rusinë. Partia dështoi ta përjashtojë sepse këshilli i apelimit konkludoi se nuk kishte shkelje.

Rrjedhimisht, Klosin nuk ka se kush ta keqkuptojë sepse nuk ka gjë as për të kuptuar këtu.

Partia Leniniste e Shqipërisë është partia që nuk i hyn në punë një vendi demokratik, një vendi ku sundon ligji dhe jo uni i kryetarit.

About Redaksia

Check Also

Kur anestezia zgjat një dekadë…

Nga Iva V.GRILLO Seriali rreth 1000 orësh i videove erotike dhe korruptive që kanë shqetësuar …