Në rrjetet sociale po merr përmasa reagimi i shqiptarëve të Selanikut ndaj veprimtarisë së organizuar më 20 nëntor nga Konsullata Shqiptare, me rastin e Ditës së Alfabetit.
Ajo që duhej të ishte një festë e gjuhës, e kulturës dhe e bashkimit kombëtar, është kthyer në një akt përjashtimi dhe mungese respekti ndaj komunitetit shqiptar të atij qyteti.
Reagimi ngre disa pikëpyetje serioze:
- Përfaqësimi i shqiptarëve.
Në një qytet ku jetojnë mijëra shqiptarë dhe ku shumë prej tyre kanë dhënë kontribute të vyera në jetën shoqërore, kulturore dhe kombëtare, si mund të organizohet një veprimtari e tillë me një pjesëmarrje kaq të kufizuar e selektive, pa përfshirë njerëzit që kanë kontribuar ndër vite, veprimtarë, mësues, shkrimtarë, piktorë ?!
- Përjashtimi i shkollave shqipe.
Në Selanik dhe rrethinat e tij funksionojnë kurse të gjuhës shqipe. Si është e mundur që mësuesit, sidomos me të vjetrit, dhe nxënësit, ata që çdo ditë punojnë për mbijetesën e gjuhës shqipe në Diasporë, të mos jenë pjesë e festës së Alfabetit?
- Kush dhe mbi çfarë kriteresh përzgjidhet personi për të folur për Ditën e Alfabetit ?
Me çfarë merite apo kontributi?
Një ngjarje kaq e rëndësishme kombëtare nuk mund të trajtohet si aktivitet privat i një përfaqësuesi diplomatik dhe as si skenë për preferenca personale.
Dita e Alfabetit nuk është pronë e Konsullatës, as edhe e Konsullit.
Shqiptarët e Selanikut meritojnë respekt dhe përfaqësim dinjitoz. Institucionet tona diplomatike duhet të bashkojnë, jo të përçajnë, të vlerësojnë, jo të përjashtojnë.


Gazeta RD