Mitropoliti Anastas ka reaguar publikisht ndaj deputetit socialist Taulant Balla, pas një videoje të publikuar prej këtij të fundit në rrjetet sociale, me mbishkrimin “Gjuha Shqipe”.
Në videon e shpërndarë nga Balla shfaqet një fragment nga një film i realizmit socialist, ku dy personazhe, njëri prej të cilëve i veshur si klerik ortodoks, shfaqen në një bisedë me mesazhin “Perëndia di çdo gjuhë”.
Publikimi i videos nga Balla shoqërohet me një zemër të kuqe dhe flamurin shqiptar, ndërsa në qendër të saj është mesazhi për gjuhën shqipe.
Reagimi i Mitropolitit Anastas ka qenë i drejtpërdrejtë, duke e lidhur postimin e deputetit me atë që ai e konsideron kontradiktë mes veprimeve politike dhe deklarimeve patriotike.
“Kur nëpërmjet shpopullimit, bën çdo gjë që Shqipëria të flasë çdo gjuhë, përveç shqipes, dhe puna ta do të bësh patriotin në ditë feste”, shkruan Anastas.
Më tej, Mitropoliti i drejtohet drejtpërdrejt Ballës, duke kundërshtuar përdorimin e figurës së klerikëve ortodoksë përmes materialeve filmike të periudhës së realizmit socialist.
“Nuk i përdhosni dot klerikët ortodoksë me filma të realizmit socialist, z. Balla”, përfundon reagimin e tij.
Gazeta RD