Tabaku i kërkon Marta Kos mbështetje për zgjedhje me kushte të barabarta dhe konkurrencë të lirë!

Në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, deputetja e PD, Jorida Tabaku ngriti shqetësime për dobësimin e kontrollit parlamentar, pavarësinë e SPAK-ut dhe ligjet që, sipas saj, cenojnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Bashkëkryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), Jorida Tabaku, i kërkoi komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, që Komisioni Europian të mbështesë kushte të barabarta për garën zgjedhore dhe konkurrencën në ekonomi. Në mbledhjen e Këshillit, deputetja e PD-së kërkoi që rregullat zgjedhore dhe ndarja territoriale të mos ndryshohen njëanshmërisht, që shteti të mos përdoret për fushatë dhe që fondet e pasuritë publike të mos jepen pa garë.

Duke iu referuar progresraportit të Komisionit Europian, Tabaku përmendi refuzimin e komisioneve hetimore, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe dobësimin e kontrollit parlamentar. Si shembull, ajo solli vetë KKIE-në, që pas zgjedhjeve kaloi nga drejtimi prej opozitës në bashkëdrejtim me shumicën. Sipas saj, Këshilli nuk u mblodh për të diskutuar shqetësimet e ngritura gjatë kësaj periudhe, edhe pse u hapën të gjithë kapitujt e negociatave.

Në mbledhje ishte i pranishëm edhe drejtuesi i SPAK-ut, Klod Braho. Tabaku iu referua refuzimit të autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres si shembull të asaj që ajo e cilësoi si ndërhyrje të pushtetit politik në punën e SPAK-ut.

Deputetja tha se nismat që, sipas saj, u japin operatorëve akses pa garë në sektorë si shëndetësia dhe teknologjia e informacionit, cenojnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe përjashtojnë nga konkurrenca edhe investitorët europianë. Ajo përmendi gjithashtu ligjet për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike. Sipas Tabakut, projektligji që do të zëvendësojë ligjin për investimet strategjike përsërit mekanizmat që kufizojnë konkurrencën.

Tabaku tha se anëtarësimi në BE mbetet përparësi e PD-së dhe kërkoi që zbatimi i reformave të vlerësohet në praktikë. Ajo i kërkoi Komisionit Europian t’ia përcjellë qeverisë shqetësimet e protestuesve dhe njoftoi se protesta e radhës do të mbahet më 28 nëntor, në Ditën e Flamurit.

About Redaksia

Check Also

Gjoni: Mijëra banorë të Lezhës në errësirë, ku është Europa që premtoni?

Deputeti i PD, Gjin Gjoni ka denoncuar mungesën e energjisë elektrike në disa fshatra të …