Betejat e mëdha kundër narko-shtetit dhe krimit të organizuar në Shqipëri bëhen nga gjeneralë të mëdhenj

Agim NESHO

Në këto kohë të vështira të lëvizjeve gjeopolitike, kur si Uashingtoni dhe Brukseli kishin pranuar në heshtje se nuk kishin kohë të merreshin me Ballkanin, një gjeneral me tre yje (ret.) merr detyrën e të dërguarit të Presidentit në Shqipëri, Ambasadori Eric Wendt. Sigurisht që kjo ishte zgjidhja më e mirë e bërë nga Presidenti Trump dhe Sekretari Rubio për një mision diplomatik në një vend evropian që po funksiononte si narko-shtet.

I përkëdhelur për shërbimet e tij klienteliste, Rama është kryeministri që bënte si të donte me shtetin e tij, kapte dhe përdhoste institucionet, ndjehej i lirshëm të komunikonte dhe bashkëpunonte me kartelet dhe krimin e organizuar, ndante Shqipërinë dhe pronat e saj në funksion të pushtetit personal. “Magjia e tij” i bënte diplomatët perëndimorë të belbëzonin për lidhjen e krimit me politikën, arrogancën e tij e shikonin si element stabiliteti, pastrimin e parave si zhvillim të Far West-it amerikan, duke e parë Shqipërinë jo si dështim por një mundësi për të fituar të gjithë dhe zhvilluar karrierat e tyre burokratike.

Gjeneralët amerikanë, si misionarë të diplomacisë dhe paqes, i kanë shërbyer vendit të tyre në kohë krizash dhe kthesave të mëdha. Gjenerali MacArthur në veprimtarinë e tij në Japoni dhe Kore, Colin Powell për transformimet demokratike në regjimet despotike të Lindjes së Mesme, etj. Gjeneralët amerikanë, që kanë një personalitet të fortë dhe integritet të lartë, i shërbejnë pa kompromis interesave të vendit të tyre. Në misionet e tyre diplomatike ata janë më tepër gjeneralë në vendim-marrje sesa diplomatë në arritjen e kompromiseve, duke qenë luftëtarë të së keqes sesa bashkëjetues me të në funksion të konjukturave të kohës.

Deklarata e Ambasadorit Wendt në takimin e tij me SPAK dhe BKH ishte qëndrimi i tij publik për luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar. Bërja e deklaratës publike tregon seriozitetin e SHBA-së dhe të tijën në këtë luftë principiale. Gjenerali Wendt ka shërbyer me sukses në Afganistan, ku talibanët, opiumi dhe korrupsioni minonin procesin e demokratizimit në atë shtet problematik. Në ‘Talibanin e Evropës’ (sic e quan me krenari Kryeministri Rama) narko-shteti është krijuar si rezultat i politikave qeverisëse të regjimit të Ramës, nga projekti i kanabizimit të vendit, projektit të rilindjes me kulla të larta të lidhur me pastrimin e parave të pista të krimit të organizuar, mungesën e vizionit qeverisës dhe largimit masiv të shqiptarëve nga vendi.

Veprimi i fundit i Ambasadorit Wendt tregon karakterin e tij të fortë për të luftuar kartelet, krimin e organizuar duke ju përmbajtur premtimeve të bëra gjatë procesit të konfirmimit të tij në Senat, konsekuencë në zbatimin e porosisë së Presidentit Amerikan që lufta kundër krimit të organizuar, karteleve kudo në botë është një çështje parësore dhe në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe vendit ku vepron. Gjenerali Wendt ktheu besimin tek politika, drejtësia dhe fryma e lirisë e superfuqisë demokratike në botë kur populli Shqiptar kishte parë deri tani shfaqje të pajustifikueshme të diplomacisë së Administratës Biden nga servilizmi ndaj narko-diktatorit (vizita dhe fjala e Sekretarit Blinken në Tiranë), e deri veprime në jetën politike të vendit kundër opozitës për të konsoliduar pushtetin e regjimit.

Betejat e mëdha si kjo kundër narko-shtetit dhe krimit të organizuar në Shqipëri bëhen nga gjeneralë të mëdhenj, se edhe interesat që preken prej saj janë të jashtëzakonshme. Por fitorja ndaj tyre sjell krenarinë dhe mirënjohjen e një populli që kërkon të jetë pjesë e civilizimit perëndimor dhe jo të shoqërisë së talibanizuar të Europës.

Si qytetar shqiptaro-amerikan kërkoj dhe lutem që lufta parimore e Ambasadorit Wendt të ketë sukses. Si analist i sugjeroj të shikojë me kujdes në këto drejtime:

Së pari, lufta e institucioneve të drejtësisë nuk duhet të vazhdojë vetëm në goditjen e organizatave dhe individëve të veçantë të inkriminuar për t’ju provuar krimet e tyre. Sot problem kryesor për funksionimin e drejtësisë nuk është mungesa e provave apo administrimi i tyre, por mungesa e pavarësisë dhe e përdorimit të saj. Në shumë raste organet e drejtësisë bëjnë goditje selektive, mbeten vulnerabël përpara presionit politik të pushtetit duke mos arritur rezultate të dukshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe pushtetit politik që bashkëpunon. Pra nevoja kryesore është për një strategji dhe goditje ndaj sistemit dhe individëve që e mbajnë në këmbë atë.

Së dyti, sistemi korruptiv goditet duke kthyer rregullat demokratike të lojës dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të cilat mund të sigurohen nga qeveria Rama. Pa një qeveri kujdestare, teknike që të sigurojë kushte të barabarta në zgjedhje dhe çmontim të krimit të organizuar nuk mund të kemi institucione të legjitimuara. Qeveria Rama nuk mund të jetë më aktor në zgjidhjen e krizës politike, por problemi i saj.

Së treti, lëvizja studentore është lëvizja më domethënëse e pakënaqësisë popullore kundër një regjimi të korruptuar dhe inkriminuar pas lëvizjes demokratike të viteve ’90-të. Kjo lëvizje nuk është si lëvizjet e tjera evropiane Antifa, as një lëvizje anti-sistem kundër klasës politike. Arena e protestës përbëhet nga grupime të ndryshme, nga interesa të ndryshme dhe e përpunueshme ndaj influencave të ndryshme. Regjimi i Edi Ramës, si më i interesuari për ruajtjen e regjimit, ka kohë që punon për një opozitë “të përshtatshme” për të punuar me regjimin e tij, duke relativizuar rolin e opozitës dhe forcën e lëvizjes studentore.

Shqipëria e ka eksperiencën demokratike për të zgjedhur alternativën e saj qeverisëse, e cila nuk mund të përzgjidhet në bazë të preferencave të grupeve të interesit, prirjeve ideologjike apo garancive që kërkon regjimi i korruptuar për të mbajtur sistemin. Pra prioritet janë institucionet dhe funksionimi demokratik i tyre dhe jo individët, funksionimi i shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.

Ardhja e Ambasadorit Wendt ishte një shpresë më shumë për shqiptarët, kur po shikonin shkatërrimin e ëndrrave të tyre nga narko-regjimi. Veprimet dhe qëndrimet e tij në të ardhmen do ta vlerësojnë atë për çfarë kemi besuar.

About Krye Redaktor

Check Also

28 Nëntori është dita kur duhet t’iu themi: BOLL!

Nga Ilir PECNIKAJ NËNTORI I TRETË Për çdo gënjeshtër, për çdo milion të vjedhur, për …