Nga Flamur NOKA
Sali Berisha ka 10 vjet në opozitë. Asnjë akuzë zyrtare, asnjë fakt dhe asnjë provë nuk ka kundër tij. Është lideri më pro-perëndimor që ka pas e ka Shqipëria. I deklaruar armik i papajtueshëm i Rusisë, i Putinit dhe i skemave të tyre në Ballkan.
Sali Berisha transformoi Shqipërinë, e anëtarësoi vendin në Këshillin e Europës, në OSBE, në NATO, liberalizoi vizat dhe ndërtoi autostrada me 1 milion Euro kilometri. Dyfishoi rroga e pensione, risolli liritë themelore për shqiptarët dhe riktheu Shqipërinë në hartën e vende demokratike të Europës.
Luftoi me zero tolerancë bandat dhe krimin e organizuar dhe i vendosi përpara drejtësisë. Nuk promovoi asnjë kriminel për kryetar bashkie e as për deputet.
I kundërti i tij Edi Rama e ktheu Shqipërinë në Kolumbi të Europës. Parlamentin dhe bashkitë i mbushi me kriminelë, vrasës e trafikantë droge, vendin e bëri protektorat të krimit.
Edi Rama i futi vazhdimisht thika Kosovës dhe çështjes sonë kombëtare për interesa të Vuçiqit.
Ai ndërton autostrada me 23 milion euro/km. Shpiku inceneratorët që të vjedhë qindra miliona euro “me ligj”. Edhe nëpërmjet të vdekurve po vjedh por s’e shikon kush, madje e shpallin “mbret të antikorrupsionit”.
Shqiptarët ama shohin. Shqiptarët nuk do të lejojnë një Enver Hoxhë të dytë, pavarësisht nga i vijnë bekimet.
Protesta historike e 7 korrikut tregoi se sovrani në Shqipëri ka parë dhe ka lexuar shqip gjithçka.
Sovrani nuk pyet çfarë iu shkruajnë e iu trillojnë kancelarive dyshja Rama-Basha.
Ngado të vijnë fermanët, nuk do mund ta frenojnë sovranin në këtë rrugë për rikthim të demokracisë dhe rivendosje të pluralizmit në Shqipëri!
Revolucioni demokratik do shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët!