Kur ngul këmbë si… qeveria!

Nga Lutfi DERVISHI

Nuk ka mbetur aktor i interesuar që të mos shprehë shqetësim dhe të mos prononcohet kundër amnistisë fiskale. Biznesi kundër. BE kundër. Partnerët kundër. Sot në ditën e hapjes së punimeve të sesionit të ri parlamentar, na thuhet se: amnistia fiskale është prioritet.

Nëse kjo bëhet thjesht për të folur për këtë marrëzi dhe për të mos folur për krizën, për të rinjtë që largohen, për energjinë, për çmimet e rritura, për inflacionin, për incineratorët, për … gjysma e së keqes. Por nëse vërtet duan t’i shkojnë marrëzisë deri në fund, kjo është një llogari tjetër.

Nuk mungojnë paratë. Bankat po përmbyten nga paraja. Nuk mungojnë paratë, por mungon konkurrenca, mungojnë rregullat e qarta të lojës, mungon drejtësia, dhe janë me tepri ligje që bëhen në favor të 2 apo 12 personave.

Emigrantët nuk kanë miliona të padeklaruara. Supozojmë se disa kanë. Si do t’i sjellin në Shqipëri? Pastrimi i parave në Shqipëri nuk ka qenë kurrë problem. Mjaft të ngresh pak kokën dhe të shohësh sot ndërtimet dhe nesër kazinotë dhe lojërat e fatit.

Po atëherë çfarë është kjo këmbëngulje që ja kalon mushkës për amnistinë fiskale? Dhe nuk është e vetmja çështje ku ne që kemi dekada që zvarritemi në derën e BE-së i biem ndesh BE-së. Merr çështjen e  ‘pasaportave të arta’. Dërgojnë letër zyrtarisht nga Brukseli dhe shprehin shqetësim. Asnjë reagim për të qenë. Flasin hapur. Asnjë reagim. Ngrenë zëri dhe sërish kokëfortësi. çfarë duam të tregojmë me këtë kokëfortësi?

Që nuk pyesim për askënd? Nëse ka argumente në favor të pasaportave të arta apo amnistisë fiskale le t’i thotë qeveria dhe nëse argumentet e saj janë më të forta se shqetësimet e vendeve mike atëherë të rreshtohemi krah qeverisë.  Por nëse ‘argument’ është fakti që në shakanë e quajtur ‘konsultim kombëtar’ njerëzit kanë qenë dakord për ‘amnistinë fiskale’, për ‘Ballkanin e Hapur’ apo për ‘dënimin e gjyqtarëve’ atëherë duhet thënë me gojën plot, pa u drojtur aspak se qeveria ka aftësinë të të ‘lerë pa tekst’.

Mbase ka ardhur dita që shprehja ngul këmbë si mushka të zëvendësohet me ‘ngul këmbë si…qeveria’.

About Redaksia

Check Also

Kur punëdhënësi është Soros…

Nga Redin HAFIZI Në një ndër takimet e tij në diasporë Adriatik Lapaj u pyet …

Leave a Reply