• Mësuesit detyrohen të shoqërojnë nxënësit për në shkollë. Prindërit kanë nënshkruar një peticion dhe nuk janë dakord me këtë vendim të Drejtorisë Arsimore.
Deklaratë e anëtares së Kryesisë së PD, Mimoza Hajdamataj, nga shkolla “Azem Hajdari”, në Paskuqan.
Siç e shikoni jemi këtu në Paskuqan, situata kaotike që po shikoni është nga transporti i fëmijëve nga shkolla “Azem Hajdari”.
Shkolla “Azem Hajdari” bashkë me 3 shkolla të tjera të Paskuqanit dhe 1 çerdhe janë prishur jo më shumë se 3 javë para se të fillojë vitit i ri shkollor.
Nxënësit janë detyruar, dhe këtu janë nga klasa e 4 deri në klasën e 9-të lëvizin me këtë transport drejt shkollës “Isa Boletini”.
Shkolla “Isa Boletini” është shkollë e mesme, por që aty janë akomoduar edhe nxënësit e shkollës “Azem Hajdari” edhe “Lidhja e Prizrenit”.
Një katastrofë jo vetëm për sa i përket sigurisë së nxënësve, mënyra se si këta transportohen, por edhe sa i rrezikuar është vënë tashmë procesi i mësimdhënies dhe mësim nxënies së këtyre fëmijëve.
Orët janë shkurtuar, është rikthyer problemi i turneve të mësimit të këtyre nxënësve, dhe mbi të gjitha edhe shqetësimi i prindërve për sigurinë e fëmijëve, por edhe mësuesit.
Mësuesit në fillimin e vitit janë urdhëruar nga Drejtoria Arsimore për t’i shoqëruar fëmijët drejt shkollës, konkretisht kësaj “Isa Boletini”, por në dijeninë tonë kanë nënshkruar një peticion dhe nuk janë dakord që të marrin përsipër ruajtjen dhe sigurinë e këtyre fëmijëve.
Pasi detyra e tyre nuk është kjo.
Detyra e tyre është mësimdhënia e fëmijëve, ruajtja e tyre brenda ambienteve të shkollës, jo në këtë formë siç është ky transport.
Partia Demokratike shtron para pushtetit vendor dhe Drejtorisë Arsimore dhe Ministrisë së Arsimit pyetjet:
Çfarë do të bëhet me arsimin në Shqipëri?
Kjo është situata që na prezanton Rilindja? Problemet që janë më turnet, që edhe e citova.
Orët e shkurtuara, jo më 45 minuta, por më pak?
Me këta fëmijë çfarë do të bëhet në një të ardhme kur dimri po troket dhe ata do të kthehen në orët e vona?
Prindërit e shqetësuar dhe më tepër mësuesit?
Ne garantojmë jo vetëm Paskuqanin, Kamzën, por gjithë Shqipërinë, që Partia Demokratike prioritetin e saj të parë do ta ketë në pushtet arsim dinjitoz.
Kjo qeveri ka vënë në rrezik sot sigurinë e këtyre fëmijëve. Kjo qeveri është rrezik dhe si e tillë është rrezik për Shqipërinë, arsimin dhe si e tillë duhet të trajtohet nga të gjithë.