Eksperti i çështjeve të rajonit, Janush Bugajski, tha se është kundër shpalljeve non-grata. Në një intervistë për Merita Haklajn në A2 CNN, ai tha se po kapen me një individ në veçanti, duke iu referuar rastit të Sali Berishës.
“S’jam në favor të shpalljes non-grata. Pse kapen me një individ në veçanti? E dimë që disa nga akuzat ndaj Berishës mund të vlejnë dhe për politikanë të tjerë.
Pse zgjedhin kryetarin e një partie? Kështu veçon një pjesë të shoqërisë shqiptare, gjë që s’është ide e mirë. Nëse do ta bësh, bëje duke i prekur të gjithë. Nëse s’do ta bësh, ushtro presione të tjera. Mendoj se do të ishte zgjidhja më e mirë”, tha Bugajski.
Bugajski: Jam kundër Ballkanit të Hapur
Janusz Bugajski, ekspert i çështjeve të rajonit, ishte i ftuari në “Intervistë me Merita Haklaj”, në A2 CNN. Ai sërish shprehu kritika të forta ndaj Ballkanit të Hapur.
Në Shqipëri janë regjistruar disa incidente, pasi disa shtetas rusë janë kapur pranë objekteve ushtarake. Dyshohet për spiunazh, ndërsa hetimet vazhdojnë. Sa e rrezikuar është Shqipëria në këtë situatë dhe si e shihni rolin e saj në vazhdim?
Bugajski: Mendoj se Rusia po përpiqet të trazojë Ballkanin e ta bëjë të paqëndrueshëm, të paparashikueshëm. Në Shqipëri kanë shumë pak mënyra. S’kanë parti që t’i mbështesin, s’kanë media pro-ruse. S’kanë kisha pro-ruse. E kanë të vështirë. Shumica e shqiptarëve mbështet Ukrainën në sulmin e Rusisë. Duan të tregojnë me incidentin e Gramshit që kanë ende akses, që mund t’i destabilizojnë gjërat, që mund të hapin telashe. Është një mesazh për qeverinë shqiptare që Rusia është ende e pranishme, ndaj duhet të bëjnë kujdes e të mos kalojnë caqe. Të bëjnë marrëveshje me Serbinë. Do të donin shumë që Serbia e Shqipëria të bëjnë marrëveshje për Kosovën.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka folur shpesh në mediat e huaja kohët e fundit, duke u kërkuar që të mos bëjnë presion ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç, për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Reagimi vjen pas afrimit më shumë mes tyre në kuadër të nismës së Ballkanit të hapur. Ju si e komentoni këtë nismë dhe qëndrimet e Edi Ramës ndaj Vuçiç?
Bugajski: Nuk jam dakord me këtë. Nëse do të jetë anëtare e BE-së, Serbia duhet të ndjekë normat e BE-së për sa i përket politikës së jashtme.
Si vendet e tjera të Ballkanit.
Bugajski: Shqipëra ka vënë sanksione, Mali i Zi gjithashtu. Nëse s’vendos sanksione, tregon që janë përcjellës i Rusisë. Kanë ndikim nga ushtria ruse, nga shërbimi sekret rus, dezinformim, ndikim negativ në kisha. Çdo gjë që eksporton Rusia si subversion negativ në këtë rajon kalon nëpërmjet Serbisë. Edhe me Republikën Srpska. Nëse do të jetë në një vijë me kushtet e BE-së, Serbia duhet t’i vendosë sanksionet.
Thatë që Rusia pëlqen do t’i dëshironte marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë e Serbisë. Si e përshkruani nismën e Ballkanit të Hapur, qëndrimin e Ramës ndaj Vuçiçit?
Bugajski: S’jam mbështetës i Ballkanit të Hapur. Kemi pasur mekanizma të tilla që mund të përdoren, si CEFTA. Pse të krijohet një superstrukturë e re. Për çfarë? Të krijohet më shumë ndikim serb? Për të lejuar më shumë ndikim rus në rajon? Jam dakord me Kosovën dhe Malin e Zi që s’duan të bashkohen. Pse t’i bashkohem një asocimi që dominohet nga Beogradi. Problemi, në anën tjetër, është që mund të kthehet në zëvendësues i anëtarësimit në BE. Një nga vendet e BE-së mund të thotë që keni bashkimin tuaj ekonomik, pse doni t’i bashkoheni BE-së. Mund të jetë një tjetër shfajësim.
Është e njëjta gjë si tregu i përbashkët rajonal.
Bugajski: Rajoni s’ka aq shumë njerëz. Është treg shumë i vogël. Duhet të futet në tregun europian e botëror. Çdo gjë që e pengon këtë është negative.
Në një koment para pak ditësh, ju shpreheni se Ballkani i Hapur është një projekt i Serbisë, nga i cili përfiton Rusia. Pse e thoni një gjë të tillë?
Bugajski: Po të ketë shumë energji ekonomike dhe ndikime të tjera nëpërmjet Serbisë, nëse Serbia e injekton nëpërmjet Ballkanit të Hapur, vetëm sa ushqen ndikimin rus, jep mundësi që Rusia të përhapë kontaktet ekonomike, korrupsionin politik, dezinformimin e shumë gjëra.
Ballkani i Hapur ka përkrahjen e Uashingtonit zyrtar. Edhe zyrtarë të lartë të BE kanë qenë të pranishëm në takimet e nismës. Pse ndodh kjo? A duhet të ndryshojnë qasje ata? Apo kjo nismë që nxit qarkullimin e mallrave dhe njerëzve i shërben pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve?
Bugajski: Them se është gabim. Po të bashkëpunojnë, mendojnë se s’do të luftojnë. Ky është thelbi. Problemi është se këto bashkëpunime heqin vëmendjen nga ajo që duhet bërë. Folëm pak më parë për këtë, zgjidhjet që duhen arritur. Kjo ndihmon Vuçiçin e të tjerët të heqin vëmendjen nga thelbi i vërtetë i problemeve në rajon. Ndonjëherë, politika e SHBA dhe BE sheh ndikimin afatshkurtër, jo atë afatgjatë. Këtë mendoj se po bëjnë me Ballkanin e Hapur. Nuk shohin ndikimin negativ të kësaj marrëveshjeje në rajon.