Kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra ka komentuar protestën e pedagogëve. Në fjalën e tij, Rama tha se nuk do të ketë asnjë pakt me pedagogët duke shtuar se këto të fundit kanë mundësi që të punojnë dhe në universitetet private.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se do të ketë vetting për pedagogët që punojnë në universitete private dhe nuk deklarojnë pagën.
“Nuk mund të dalësh e të bësh protestë dhe të mos bësh mësim, në një kohë që paga është rritur. Pedagogët kanë mundësi të dyta duke punuar edhe në universitete private. Një pjesë e pedagogëve nuk deklarohen nga universitetet private, për këtë çështje do të bëjmë veting. Bëjnë protesta për të çuar ujin në çorbën e rublave, ‘non gratave’ dhe spiunëve. Kush po i shantazhon. Të bësh protesta si skuth. Asnjë pakt nuk ka me ta, puna jonë nuk është të bëjmë pakte pas shpinës suaj”, tha Rama.
Sipas tij sindikata e tyre drejtohet nga antëar i SHIK-ut ndërsa tha se ata që dalin në protestë të harrojnë rritjen e pagës dhe se duhet ta nxjerrin vetë me anë të projekteve.
“Ata pedagogët me një të SHIK-ut në krye që kërkojnë rritje page, kur jo vetëm u është rritur, por më shumë se të tjerët, që përveç qeverisë, ua rrit autonomia. Autonomia është përgjegjësi, ata që dalin, ta harrojnë rritjen, sepse do e kenë zjarrfikësat dhe pensionistët të parët. Mesazhi im është i thjeshtë, nuk jeni as si pensionistët, as si mësuesit, as policët e zjarrfikësit. Jeni me autonomi, do e nxirrni vetë me projekte. Pjesa më e madhe e pedagogëve nuk dalin për të bërë selfie te dera për t’i nxjerrë mediat, por janë në mësim”, u shpreh Rama.