Nga Agim Xh. Dëshnica
Prishjet e dhunëshme e shtëpive në lagjen 5 maj në Tiranë ne kohë janari na kujton shembjen barbare papritur natën të Teatrit Kombëtar me ndihmën e policëve të egër, të Edvin Ramës, fshehur pas shpinës së shkatërrimtarit të Tiranës Erion Veliajt, na kujton pushkatimet në mesnatë me urdhër të atyre që rrafshuan me dinamit ndërtesën neoklasike të Bashkisë edhe të Kafe Kursalit të kohës së paraluftës, më te bukurat në Sheshin Skëndërbe; shkatërrimet e monumenteve te kultures, si Pazari i Vjetër në Tiranë me vlera historike e turistike; hedhjen për tokë me dinamit të Bezistenit në Shkodër, – treg i gjerë, i mbuluar me çati, ku shiteshin mallra e këmbeheshin monedha të vendeve ballkanike. Na kujton edhe shembje, mbyllje kishash, xhamish e teqesh të vitit 1967; shkallmimin aty nga vitet 70, e qyteve si Berati të shpallur formalisht Muze.
Sarajet e Pashallarëve, dikur me dy kate në qendër të Beratit, edhe sot të rrënuara, aty nga viti 1947, nga pushteti i diktaurës.
Çdo shtëpi ka veçanësitë e saj. Qindra syresh krijojnë një qytet me tërë vlerat dhe historinë e tij. Si gjithmonë, trashgimtarët, pas rrënimesh për shkaqe nga më të ndryshmet, përpiqen të mirëmbajnë vjetërinë e bukur, krahas ndërtimeve moderne në zona të veçanta, si vazhdim të jetës në kohëra të reja. Historia për qytetet e vdekur është e mjegullt, shpesh e sajuar sipas hamendjeve. Për mrekulli, Berati i lashtë, pas dëmtimesh të qëllimshme në vitet e një sistemi të huaj, siç qe socialimi, mundi të mbërrinte në kohët tona, si një dëshmitar i gjallë i ndodhive tragjike, mjerisht vetëm me tri lagje, Mangalemin, Goricën e Kalanë, edhe këto të prekuara nga ndërtime të gabuara. Asnjë popull dhe asnjë shtet në botë nuk prish monumentet e veta të kulturës, sipas manisë perverse të një njeriu, pra: “prish shtëpi e bëjë kasolle!” Nga një revistë italiane mësohet se, pasi armët e Luftës së Dytë Botërore heshtën, shumë qytete të rrënuar u ringritën siç qenë më parë. Turistët amerikanë me origjinë nga këto vende, befasoheshin, kur ktheheshin atje dhe gjenin pallatet klasike, kafet, parqet e rrugët e kohëve të bukura të rinisë së tyre.
Në Shqipëri, në mbarim të luftës, pas largimit të trupave pushtuese gjermane, kudo u ndje fryma dhe pesha e një jete të re; për disa – e lumtur, ndërsa për mjaft të tjerë – e panjohur, e dhunshme dhe e frikshme.
Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, me një vendim të paqartë të qeverisë, Berati u shpall qytet muze. Pra, shteti i ri tashti e tutje do të kujdesej për mirëmbajtjen e shtëpive dhe të qytetit në tërësi, të njohur për lashtësinë dhe bukuritë e rralla. Do të kujdesej për Kalanë me dramat tragjike, për shtëpitë e bardha e dritaret si mijëra yje mbi lumë e urë, për xhamitë e kishat, për zejtarinë, legjendat e këngët. Por, ç’ndodhi në të vërtetë? Pas ngritjes së fabrikave, ardhjes nga rrethet e tjerë të nëpunësve dhe punëtorëve, qyteti u mbipopullua dhe mori pamjen e një qendre industriale pa të ardhme. Me një bëmë hakmarrëse të pakuptimtë, qysh në vitet e rrënuan Sarajet e Pashallarëve në qendër të qytetit, hedhja në lumë e shumë elementëve arkitektonikë! Sot, ashtu të shkallmuara, ato dëshmojnë për hijeshinë e hershme dhe për marrëzinë e diktaturës. Pas vendimit që e shpalli atë qytet muze, qendra e tij me sheshe, pazare e një varg dyqanesh, u shemb dhe u tjetërsua! Ndërtesa neoklasike e hotelit Kolombo u rrafshua për një lulishte! Edhe Shkolla qytetëse, ku dikur mbërrinte Felbani (treni) austriak Shkodër-Berat, u hodh përtokë! Xhamitë, medreseja, teqetë e kishat u mbyllën, disa u shembën! Po atë fat patën edhe lagjet e tjera. Emrat e vjetër, që dëshmonin historinë, u ndryshuan. Mbijetuan vetëm përmendorja e Dëshmorëve të Kombit dhe busti i Babë Dudë Karbunarës, të përuruar qysh në vitet ’30. Kalimtarët, në hyrje të parkut të madh, kundër natyrës së qytetit, haseshin me bustin e Stalinit, kurse heroi ynë kombëtar Skënderbeu, përfaqësohej vetëm, gjë që ndodh edhe sot, nga një përkrenare e bardhë, pa kurrfarë vlere artistike, sipër një shkëmbi.
Gjithsesi, njëra nga lagjet vazhdoi të mbronte emrin Murat Çelepi. Ky emër i shqiptarit Kara Murat-Çelepi, mytesarif i Sanxhakut me qendër në Berat, mbeti i pashlyer nga kujtesa, dhe emri i ri zyrtar “Çlirimi” përdorej vetëm nga postierët dhe policët. Karrocierët e pajtoneve, para se të hiqeshin nga qarkullimi, thërrisnin “Hajt, Çelepi!”. Dikur kjo lagje e mbuluar nga një gjelbërim i plotë, shtrihej nga hyrja e Beratit deri në urën e Goricës, me shtëpi në shpatin e Kalasë dhe në zonën fushore buzë Osumit. Ajo kujtohej për disa shkolla, për Kullën e Sahatit, për puset e çesmat, për xhamitë, teqetë e tyrbet, për parkun plot me lule, për ndërtesat monumentale e për bahçetë, që kufizoheshin me fushat e fshatrave përreth. Njëra nga mëhallët e saj, afër lumit dhe përballë Shpiragut, njihej me emrin Sarajet. S’dihet as sot, se si ato saraje madhështore të Omer Pashës, me rojtarë e shërbyes të shumtë, u përfshinë nga flakët e një zjarri të madh dhe u kthyen në gërmadha brenda mureve të lartë. Në atë vend të braktisur, me një portë të zymtë, nuk u ndërtua asnjë shtëpi. Për një kohë të gjatë, askush nuk guxonte ta blinte atë tokë të mbuluar nga hithra e ferra, ku lëvrinin gjarpërinj e hardhuca. Gjyshet shamibardha pëshpërisnin, se atje, kur binte nata, shfaqeshin xhindet e bukura, që endeshin si hije poshtë e lart me veshje të ndritshme dhe hidhnin valle. Çdo njeri, që besonte rrëfimet me xhinde të gjysheve, nëse kalonte natën nëpër sokak, përbri mureve gjysmë të rrënuar, s’kthente sytë anash, por shpejtonte hapat. Edhe emri Sarajet, seç kishte diçka të frikshme. Në atë mëhallë të pastër me sokakët e gjerë, shtruar me gurë të sheshtë, kalonin lehtë e lehtë, kuaj e karroca, biçikleta, vetura dhe kamiona.
Kjo lashtësi e këndëshme legjendash duhet rimbkmbet si dokument i gjalle me vlera etnografike në shërbim të histories.
Edhe Teatri Kombëtar në Tiranë , sado rrënojë e heshtur, duhet të ringjallet, nëse Aleanca për mbrojtjen e tij do të shtojë rradhët, duke kërkuar me vendosmëri në protesta, ringritjen e ndertesë së artit dramatik, ashtu siç ishte me kulmin e hijshëm. Atëherë në skenën plot me kujtime aktorësh artistë, do të ringjallen, Hamleti, Laerti, Otello, Shekspiri e Noli, ndërsa në sallën e gjerë, do të shpërthejnë duatrokitjet e munguara.