Gjyqi i presidentit në Gjykatën Kushtetuese mori një rrjedhë tjetër këtë të hënë, kur i njëjti dokument shtetëror i hartuar nga parlamenti u shfaq në dy versione të ndryshme, duke ngritur hije dyshimi për falsifikim.
Mazhoranca ende nuk ka një shpjegim se pse urdhri për thirrjen e seancës së 7 majit, pasqyrohet në një dokument, që në një variant mban datën 5 maj dhe në një variant mban datën 6 maj. Të dy shkresat mbajnë firmën e Gramoz Ruçit, atëherë Kryetar i Kuvendit.
Diskutimi për procedurat e seancës parlamentare të 7 majit nisën pas ankesave të përfaqësuesit ligjor të presidentit. Bledar Dervishaj përfshiu në strategjinë e mbrojtjes disa shkelje për rendin e ditës së seancës 7 maj, kur miratua ngritja e Komisionit Parlamentar për shkarkimin e Presidentit.
Një prej këtyre shkeljeve ishte përcaktimi i rendit të ditës për seancën që ishte bërë në 6 maj. Ndërkohë rregullorja e Kuvendit parashikonte që rendi i ditës duhej përcaktuar 2 ditë para seancës.
Çfarë ndodhi më pas?
Dokumentin me datën 6 maj, Presidenca e kishte siguruar nga faqja e Kuvendit në internet, por pak ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua një kopje e re, që mbante datën 5 maj. Kjo kopje e re rrëzonte pretendimin se seanca ishte thirrur në kundërshtim me rregulloren që parashikon një afat 48 orësh.
Përfaqësuesit e zotit Meta folën për një manipulim, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të verifikojë vërtetësinë e shkresës: “Qoftë në këtë formë siç e çon parlamenti, që ka një ndërhyrje, qoftë në këtë formën tjetër, që është realja, siç është publikuar, qëndrimet e presidentit qëndrojnë të bazuara. Seanca plenare është caktuar në më pak se 24 orë kohë, ndërkohë që detyrimi është 48 orë. Në rendin e ditës, nuk kanë qenë të përfshira dy akte, por vetëm një akt, një shkelje tjetër kjo më shumë e parlamentit vetëm e vetëm, e diktuar përmes vullnetit politik, për të arritur në ngritjen e një komisioni që nuk mund të funksiononte sipas kushtetutës dhe ligjeve për komisionet hetimore”, deklaroi Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i zotit Meta.
Sipas tij, shkresa e re e parlamentit është e dyshimtë edhe për faktin që në datë 5 maj, Komisioni i Ligjeve nuk e kishte miratuar ende raportin mbi kërkesësn e deputetëve, gjë të cilën e bëri një ditë më pas, në 6 maj.
Presidenca njoftoi se do të bëjë kallëzim në prokurori për falsifikimin e firmës së ish-Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Mazhoranca nuk e ka komentuar falsifikimin e dokumentit, ndërkohë që e kërkon shkarkimin e Presidentit për shkak të sjelljes së tij para zgjedhjeve të 25 Prillit. Klotilda Bushka tha se Meta ka shkelur nenin 86 pika 1 e kushtetutës për neutralitet, ka denigruar figura politike dhe qeveritare, ka shkelur nenin 89 të Kushtetutës. Është sjellë si opozita e mazhorancës duke vepruar si anëtar partie.
“Sjellja e Metës ka qenë aktive përsëritëse, ka dhënë intervista me nismën e tij duke mbajtur qëndrime kundër një force politike, duke u kërkuar zgjedhësve të mos e votojë mazhorancën”, tha Bushka. /LAPSI