Shqipëria, mungesa të theksuara transparence dhe llogaridhënie për fondet e pandemisë!

Organizata Together for Life publikoi në Tiranë një raport, sipas të cilit prokurimet emergjente në përballimin e pandemisë nuk ishin transparente.

Nga Zëri i Amerikës

Studimi thekson që më shumë se gjysma e prokurimeve në shëndetësi kishin vetëm një operator në garë.

“Në tenderët e shëndetësisë gara është shumë e kufizuar. Mbi 55 për qind e tenderëve të zhvilluar nga viti 2016 deri në dhjetor të vitit 2021 kishin vetëm një operator pjesëmarrës në garë, ndërsa 35 për qind kishin më shumë se dy operatorë në garë” – detajoi raporti.

Për të njëjtën periudhë, shton raporti, vetëm 47 për qind e tenderëve të zhvilluar patën kontrata të lidhura dhe afro 16 për qind e procedurave u anulluan.

Studimi thekson se gara e hapur u përdor vetëm në 31 për qind të shpalljeve dhe se për to ka një seri ankesash për autoritetet kontraktuese, të cilat, sipas vëzhgimit, përpiluan kritere teknike përjashtuese, duke favorizuar në mënyrë jo të drejtpërdretë kompanitë e lidhura me autoritetin kontraktor.

Pjesa tjetër, 17 për qind e tenderëve u bënë sipas procedurës me negocim, ndërsa 32 për qind % e tyre u bënë sipas procedurës me propozim.

“Që nga fillimi i pandemisë e deri në fillim të dhjetorit 2021 autoritet shëndetësore zhvilluan 198 procedura prokurimi mbi përballimin e Covid-19 me vlerë mbi 35 milionë euro. Afro gjysma e tyre, 90 tenderë u bënë vetëm me një operator konkurrues, të cilët përfituan më pothuaj të gjithë fondin limit” – thekson raporti.

Për të njëjtën periudhë, nga marsi 2020 deri në maj 2021, institucionet e shëndetësisë kontraktuan 60 kompani për furnizime materiale, që kishin lidhje me pandeminë, vëren studimi, nga të cilat 11 kompani, ose 18 për qind e totalit të kontratave, ishin sekrete. Po ashtu 11 kontrata të treta, ose 18 për qind e operatorëve fitues kishin vetëm vlerën e çmimit për njësi dhe jo shumën totale.

Studimi thekson se nga 59 kompanitë që u kontraktuan, vetëm 39 prej tyre morën pagesat brenda vitit të pandemisë.

“Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë dhe Ballkanit, që nuk ka publikuar të dhëna dhe raporte mbi efektivitetin e përdorimit të fondeve” – thuhet në raportin e organizatës Together for Life.

Sipas studimit, menaxhimi i fondeve të shëndetësisë ka mungesa të theksuara transparence dhe llogaridhënie.

Autorët veçuan prokurimin e drejtpërdrejtë të marsit dy vjet më parë për blerjen e 54 respiratorëve me 1.1 milionë euro, nga të cilat një kompani fituese e kontratës sekrete solli vetëm 5 respiratorë.

“Si pasojë e mungesës së konsistencës së kodeve të projekteve për përballimin e COVID-19 dhe rishikimeve të shumta pas akteve normative me disa vendime qeverie, gjurmimi deri në realizimin përfundimtar të fondeve COVID-19 ishte i vështirë, thuajse i pamundur” – theksoi organizata.

Nga monitorimi doli se të gjitha shtesat e fondeve për ministrinë e shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të akorduara me vendime qeverie gjatë vitit 2020, nuk janë reflektuar në tabelat shoqëruese respektive të Akteve Normative, ndaj fondet që u akorduan për përballimin e pandemisë shkuan për shpenzime të tjera që nuk kishin lidhje me pandeminë.

“Mungesa e transparencës në përdorimin e fondeve për menaxhimin e pandemisë ishte aq e madhe sa u konsiderua si shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili nuk ka në thelb të punës së tij monitorimin e tenderëve. FMN informoi se prokurimet emergjente për përballimin e pandemisë nuk ishin transparente dhe i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit të intensifikojë kontrollet dhe t’i publikojë ato” – thuhet në raport.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ne jemi misionarë, beteja të mëdha na presin!

Duke folur nga selia e Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, sot u faktua …

Leave a Reply

Your email address will not be published.