Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, vijoi turin e takimeve me qytetarët në rrugët e kryeqytetit. Teksa u ndal në Njësinë Nr.9, Belind Këlliçi konstatoi nga afër problematikat e kësaj lagje, të cilat duket se nuk kanë marrë zgjidhje prej vitesh. Ai u shpreh për mediat e pranishme gjatë takimeve të tij me qytetarët, se problemet kryesore janë ato që lidhen me trafikun, mungesën e shkollave, çerdheve dhe kopshteve, të cilat edhe në këtë zonë janë në mungesë dhe nuk plotësojnë nevojat e qytetarëve.
_“Problematika kryesore është një trafik i rënduar në çdo orë të ditës. Trafiku është katastorifk. Nga ana tjetër ju shihni se ka një ajër tej mase të ndotur, për shkak edhe të trafikut dhe makinave të mëdha që kalojnë. Biznesi i vogël është gjithmonë e në vështirësi, për shkak se paguan taksat rregullisht, paguan taksën e infrastrukturës arsimore dy herë, një herë si biznes një herë si familje, dhe për shkak se paguan tarifë pastrim gjelbërimi nuk e marrin si shërbim. Paguajnë tarifën një pjesë e mirë për hapësirën publike dhe është shumë e lartë. Nga ana tjetër kjo zonë ka një mangësi të theksuar për shkak të mungesës së shkollave, të kopshteve dhe çerdheve. është një zonë me diku te 90 mijë banorë, dhe ka vetëm 2 çerdhe dhe 3 kopshte dhe kjo nuk është e mjaftueshme për të gjithë zonën”_-tha Belind Këlliçi.
Ai komentoi edhe investimin për shkollën “Sami Frashëri”, ku vetëm fasada e saj, sipas Belind Këlliçit, ka kushtuar 700 mijë euro. Këlliçi tha se nxënësit nuk kanë nevojë për fasadë por ambiente të mira mësimi, duke theksuar se paratë e përdoruara për fasadën e këtij gjimnazi, mund të ishin investuar për ndërtimin e shkollave në zonat ku ato mungojnë.
_“Është shumë e vërtetë, e kam thënë dhe e rithem këtë, shkolla “Sami Frashëri” është një shkollë shumë e nderuar në Tiranë. është një gjimnaz i shkëlqyer, por nuk ka pse të bëhet 700 mijë euro fasada e një shkolle, kur ndërkohë, po ju marr rastin e fundit, në Yrshek dhe në Katund të Ri nuk ka shkollë. Në Vishnje nuk ka shkollë. E ndërkohë, me ato para që është bërë vetëm fasada e një shkolle në Tiranë, sepse nxënësit e një shkolle nuk kanë nevojë për fasada, nxënësit kanë nevojë për klasa të mira, për ambiente të mira, të sigurta me ngrohje në dimër, sigurisht me aq para mund të ishte bërë një shkollë tjetër. Pra nuk ka të bëjë me gjimnazin por ka të bëjë me vjedhjen e fondeve nga ana e bashkisë Tiranë_”-tha Këlliçi.
Duke vijuar më tej, Këlliçi preku problematikën e mungesës së ujit. Ai deklaroi se pas 14 majit do të punohet për investimet në rrjet, me qëllim që qytetarët e Tiranës të kenë ujë të pijshëm deri në 17 orë në ditë.
_“Ka një problematikë me ujin e pijshëm. Sigurisht, kanë ujë sepse kanë depozitat mbi pallate. Ujë vjen 3-4 orë në ditë, kur ndëkohë propagandohet nga ana e Bashkisë Tiranë që është minimalisht 17 deri në 24 orë në ditë. Qytetarët ankohen se paguajnë tre herë ujin e pijshëm; ujin që vjen në rubinet, ujin që blejnë për të gatuar, ujin që blejnë për të pirë dhe energjinë elektrike. Do të investohet në rrjetin aktual që është tejet i amortizuar. Do të investohet në rrjetin aktual të ujërave të bardha për të arritur realisht qyteti i Tiranës 14 deri në 17 orë në ditë, dhe uji të jetë i konsumueshëm. Pra ky është objektivi im, nuk është objektivi im të gënjej qytetarët”_-tha Këlliçi.
Betonizimi i Tiranës ishte një tjetër temë që preku Belind Këlliçi, gjatë kohës që ecte dhe takonte qytetarë të Njësisë Nr.9. Ai tregoi shembullin e një pallati, themelet e të cilit ishin hedhur në trotuar, duke zvogëluar rrugën për këmbësorët.
_“Kjo ka zënë trotuarin. Filmoje pak të lutem këtë pallatin këtu që ndërtohet dhe ka zënë trotuarin komplet. Kollonat janë në trotuar, shifeni trotuarin! Përfundoi nga trotuar normal në trotuar gjysmë metri. Shifeni vetëm me sytë tuaj, babzia e betonit në Tiranë_”-u shpreh kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës.
Programi i tij duket se tashmë është bërë popullor për të gjithë qytetarët e Tiranës, përfshirë edhe fëmijët e kreyqytetit. Një grup nxënësish shkolle, i kërkuan Belind Këlliçit autobusin falas si dhe nënkalimin te sheshi “Skënderbej”.
_“Me fitore me fitore, inshallah do fitojmë. Autobusat mos i harro! Edhe atë, edhe atë, nënkalimin aje_”-u shprehën fëmijët.
Këtë moment emocionues kandidati I opozitës për Tiranën e priti me buzqeshje.
_“Autobusin falas e dini ju. Autobusin falas, pa pagesë! Ore ju dikeni programin më mirë se gjithë të rriturit o burri dheut. Qenkeni në rregull fare. Ku më keni parë, në Tik Tok?_”-u shpreh Belind Këlliçi.
Në rrugë, qytetarët nuk e kursejnë mbështetjen ndaj Belind Këlliçit, madje ka dhe nga ata, të cilët janë angazhuar për të bindur miq e të afërm që votën e tyre ta hedhin për Belind Këlliçin, pasi e shohin si të vetmin njeri që mund t`ju sjellë shpresën në Tiranë.
_“Jemi shumë simpatizantë për ju, votën tonë e keni ju. Djalin tim në Gjermani e keni takuar ju në hotel, që ishte recepsionist, Mario Domi. Unë rri në Austri por gjithmonë dua të fitojë ky. O zemra ime… ua si s`të kam ndjekur, ti je pasha, ti je pasah. Zoti është i madh. Unë për ty flas, këdo që takoj, kur i di që janë një çikë të 50 me 50 me dy mendje, i them: është djalë i ri, i edukuar, është rritur jashtë shtetit. Kaq shumë halle kemi këtu në lagje, që nuk t`i numërojmë dot, pusetat janë me ujë që i kemi poshtë shtëpisë. Vjen djali nga Hollanda, merr autobotin, paguan 50 mijë lekëshin dhe e pastron. Ku janë këta, tashi po kujtohen me punu? Prandaj duhet të hipësh ti. Zoti ta bëjë mbarë!”_-u shprehën disa qytetarë që takuan Belind Këlliçin në këtë njësi.
Gjatë takimeve me bizneset, kryesisht sipërmarrës të biznesit të vogël në këtë zonë, Belind Këlliçi prezantoi programin e tij për uljen e taksave dhe tarifave vendore, të cilat do të lehtësojnë barrën fiskale që bizneset i paguajnë aktualisht bashkisë së Tiranës.
Këlliçi i ftoi qytetarët që në 14 maj të votojnë Numrin 5 për kandidatin dhe numrin 1 për këshillin bashkiak.