Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar 4 persona të akuzuar se nëpërmjet ryshfetit jepnin certifikata pronësie.
Mësohet se me 2 vite burg është dënuar ish-juristi i Sarandës, Laert Pasha, i cili akuzohet se merrte 3 mijë euro ryshfet për të shpërndarë certifikata pronësie. Gjithashtu me 2 vite burg është dënuar, Saimir Braho, ish punonjës i Kadastrës.
Ndërkohë Hamza Tola ish shofer në institucionin e ministrisë së Drejtësisë, është dënuar me 1.5 vite burg pasi luante rolin e sekserit në këtë aferë korruptive.
Ndërsa për sekserin Jorgo Kreku GJKKO ka vendosur një vit shërbim prove. Për sa i përket pronarit të hotelit në Sarandë, i cili tentoi të korruptonte me 3 mijë euro zyrtarët për marrjen e certifikatës së pronësisë është dënuar me 16 muaj shërbim prove.
Ata akuzohen për “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, Hamza Tola dhe Jorgo Kreku i kanë kërkuar shtetasit Kastriot Kreku një shumë monetare që varionte nga 1000 Euro deri në 3000 Euro, duke i premtuar ndërhyrjen tek të pandehurit Laert Pasha dhe Sajmir Bako, të dy punonjës të ASHK Sarandë, me qëllim për ta ndihmuar në procedurën e pajisjes me certifikatën e pronësisë.