Nga Ilir LEVONJA
Letra e Edi Ramës është elokuente në fraza jo nga talenti, por për shkak të dhimbjes së thellë që ndjen shpirti i një monarku. Samiti i si hënës do të ishte një rast i shkëlqyer ku ai të postonte foto si vëllai i madh i Melonit apo atij të Maqedonisë së Veriut etj. Miçotaqis ia dogji këtë shans të madh. Janë fraza shfajësuese karshi jush, jo kryeministrit të Greqisë. Pra janë drogë për trurin tuaj, për mendësinë tuaj akoma totalitare. Edi Ramës nuk i plas as për qirje Miçotaqisin, as për Belerin, as për Himarën dhe as për futjen e Shqipërisë në Europë. Ka vetëm hallin e pushtetit të tij.
Ai e di mirë se shqiptarët vdesin për t’u deklaruar të mbushur, edhe pse ai i ka zbrazur krejt. E di mirë që një shqiptar fle i qetë i mashtruar se sa i rehatuar. Mburrja është sipërore në mendësinë tonë. Shikoni faktin se si po çahen televizionet mbi dyndjen e turistëve, trysni sipërore, vrulle televizive, mburrje. Edhe pse nuk kanë akoma ujë vetë 24 orë, janë dakort me qeverinë që t’i japin ‘Syrin e kaltër’ rajonit të Pulias në Itali. Këta jemi ne dhe Edi Rama e di mirë këtë. Bën letra publike, poston foto, ofron podcaste me VIP-at dhe aq duan shqiptarët, showmanin jo qeveritarin e mirëqënies së tyre. Edi ia ka gjetur mirë melhemin e mpirjes dhe shplarjes së trurit. Pavarësisht firove qeveritare, shqiptarëve u pëlqen të merren me skupet e kryeministrit se sa me mirëqënien e tyre.
Në fushatën lokale të 14 majit 2023, këtë kandidatin e opozitës në Himarë, Edi Rama e quante gërdallë, analfabet, i cili nuk dinte as greqisht dhe as shqip. Madje ua kërkoi publikisht si favor qytetarëve të Himarës që, mos t’ia bënin dertin e madh duke i dhënë mundësinë ”gërdallës” të ulej në tavolinë me të, se gjoja ai kishte projekte. Nuk ishin në të njëjtin nivel. Ishte një fushatë lokale, pra zgjedhje lokale, jo zgjedhje politike.
Megjithatë kryeministri u investua aq shumë sa futi në lojë edhe agjentë të infiltruar deri sa arriti ta burgos kandidatin kundërshtar, pra gërdallën. Skenari është i qartë, prokuroritë bajate dhe gjykatat do zvarrisin çështjen deri në limitet kohore me qëllim ribrjen e zgjedhjeve në Himarë. E njëjta metodologji me vulën e opozitës. Janë çështje që mund të zgjidhen për dy orë, por monarku të vret me mjete të demokracisë. Ai e dinte shumë mirë se një veto e Greqisë do dëmtonte kalvarin e Shqipërisë për në Europë, por nuk i plas fare. Zakonisht në rrokullisjen e tyre, në të e sipër, është karakteristikë monarkike që monarkët të tentojnë ndjenjat gjoja patriotike. Ka kaq vite që e qeveris Himarën dhe pyetja është, pse duhej të ishte kaq bullist brutal me një kandidat lokal? Sepse ai do fitonte.
Pse duhej të investohej deri në dosje të mbyllura kur fare mirë mund t’i adresonte ato prej kohësh organeve kompetente? Sepse Himara i kishte dalë nga dora. Lëri këto kombësia dhe toka, janë shtetas shqiptarë dhe pikë. A po mburret me reformën në drejtësi etj.? Po, por shqiptarët nuk duan të dinë këtë. Ngopen me fjalë boshe, me skupe… ta arrestonte me kohë këtë ”gërdallën”. A ka prova? Ofroja drejtësisë këtë armikun e madh. E kishe kohën me bollëk. Pyetja tjetër është, pse risjell në skenë frymën anti Greqi, kur ai vet i është drejtuar gjykatës europiane për kufijtë shtetëror? Sepse është monark dhe monarku nuk e ka për gjë të shesi territor, mjafton të ruaj bythën e vet. Përse i duhet ky konflikt kaq brutal me Greqinë, vendin fqinj ku punojnë e jetojnë afro gjysëm milion shqiptarë? Përgjigja është e thjeshtë, sepse është monark dhe e ushqen popullin me propagandë. Nuk ia ndjen fare për heronjtë shqiptarë, emigrantët në Greqi. Dhe as nuk është për demokraci dhe ekonominë e tregut.
Sot të gjithë vendet e rajonit, për shkak të luftës në Ukrainë, janë duke investuar fort në çështjen e mbrojtjes territoriale, pavarsisht se janë apo nuk janë anëtarë të Natos, repartet ushtarake të Shqipërisë mbjellin bimë narkotike. Dhe ju jeni futur në një skup me bum turistësh, me armiqtë grekë, me letrën e Edi Ramës për mpirjen e trurit tuaj. Shqipërinë në Greqi e përfaqësojnë ata që po vozisin sot e nesër, natën vonë, herët në mëngjes për t’u kthyer në vatrat e tyre në tokën helene. Ka gati tridhjetë vjetë që po punojnë e jetojmë aty. Kurse Edi Rama erdhi, hapi një ekspozitë me modernizma bajate dhe iku. Dhe këtë e përfitoi se ishte dhe është një monark i Shqipërisë së lodhur, jo artist i saj. Dhe këtë nuk ia fal as unë dot Greqisë. Pa të tjerat, janë mizori monarkësh për degradimin e një kombi si e si të mbijetojnë.