Vendimi i Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën ka përmbysur supozimet për paprekshmërinë e kufijve dhe e ka futur botën në një situatë krejtësisht të re, thonë ekspertët e sigurisë.
Nga Ben Knight, Deutsche Welle
Sipas ekspertëve gjermanë të sigurisë, pushtimi i Rusisë jo vetëm që kërcënon sovranitetin e Ukrainës, por ka minuar të gjithë rendin gjeopolitik. “Sot pothuajse gjithçka është ndryshe, krahasuar me dje” – tha për DW politologu Johannes Varwick, nga universiteti i Halle. “Tani jemi kthyer në një lloj konfrontimi të blloqeve. Vetëm se kufijtë e Bllokut Perëndimor janë zhvendosur drejt Lindjes, në krahasim me periudhën e Luftës së Ftohtë. Paqja në Evropë është një gjë e së kaluarës dhe besimi tek Rusia është shkatërruar plotësisht. Do të duhen dekada për të rivendosur besimin mes Perëndimit dhe Rusisë.”
Vendimi i presidentit Vladimir Putin për të dërguar trupa përtej kufirit të një kombi sovran – pushtimi më i madh i këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore – ka krijuar atë që shumë e shohin si një precedent të tmerrshëm.
Rafael Loss, specialist i politikave të sigurisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Këshillin Evropian (ECFR), tha për DW se në krizën aktuale, pasojat afatgjata janë ende të vështira për t’u vlerësuar. “Për të paktën tek disa pjesë të Evropës, duket se rendi i 1990-ës është nën rrënoja. Kryesisht për vendet që gjenden ndërmjet, për fat të keq, vendet që nuk janë tashmë pjesë e NATO-s apo e Bashkimit Evropian”.
Për ato vende, situata e sigurisë duket shumë më e zymtë.”Ne mund të përfundojmë në një situatë ku hapësirat e ndërmjetme do të kundërshtohen, ku aftësia e NATO-s dhe BE-së për të mbrojtur ndikimin e tyre kundërshtohet,” tha Loss.
Varësia ndaj SHBA
Kjo nënkupton se vendet evropiane do të bëhen edhe njëherë tjetër, si në Luftën e Ftohtë, gjithnjë e më shumë të varura nga Shtetet e Bashkuara për të garantuar mbrojtjen, dhe kufijtë nën sferën e ndikimit rus do të militarizohen. “Tani duhet të riaktivizojmë konceptin e vjetër të kontrollit kundër Rusisë” – tha Varwick. “Kjo do të thotë se ne duhet të forcojmë krahun lindor të NATO-s dhe të përdorim parandalimin kundër Putinit. Është e qartë se Ukraina qëndron pas këtij kufiri. Tani është çështje e mbrojtjes së anëtarëve të NATO-s nga Rumania në Bullgari. Këto vende janë në një situatë më të mirë, siç thotë NATO, dhe mund ta përballojnë agresionin e mundshëm nga Rusia”.
Kjo përfaqëson një përmbysje dramatike të rendit paqësor që shumëkush parashikoi pas rënies së Bashkimit Sovjetik, kur NATO dhe gjithashtu Bashkimi Evropian filluan të anëtarësojnë shtete të reja dhe vendet jashtë BE-së u vendosën në mënyrë të njëpasnjëshme në korniza rregullatore – të tilla si rrjete energjetike – në partneritet me BE-në. “Tani jemi kthyer në një situatë ku Evropa dhe vendet e NATO-s nuk janë më aq të gatshme për t’u angazhuar me vendet më lindore ” – tha Rafael Loss.
Këndvështrimi i Putinit
Për Putinin, sulmi i papritur i së enjtes justifikohet plotësisht nga zgjerimi i NATO-s në vitet e hershme post-sovjetike dhe ndërhyrjet e mëpasshme të SHBA-së në Irak dhe Afganistan. “Putin beson se është i justifikuar për lëvizjen e kufijve me forcë, sepse sipas tij NATO-ja ka vepruar gjithashtu njësoj ” – tha Loss për DW. “Ai beson se NATO përdori dobësinë ruse gjatë viteve 1990 për të rivijëzuar kufijtë në ish-Jugosllavi, për të shkëputur Kosovën nga Serbia.”
Ndërkohë, Perëndimi mund të tregojë shkeljet e shumta të rendit ndërkombëtar nga Rusia gjatë viteve të fundit, duke përfshirë ndërhyrjen në vende të tilla si Gjeorgjia – ku Kremlini njohu shtetet separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në 2008 – dhe aneksimin rus të Krimesë nga Ukraina në vitin 2014. Lëvizja e fundit ka shkelur Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975, i cili kishte për qëllim të ruante paprekshmërinë e kufijve. “Kjo është diçka për të cilën liderët e njëpasnjëshëm rusë kanë marrë pjesë në negociata dhe kanë rënë dakord” – tha Loss.
Efekti botëror i “dallgëzimit”
Ekziston gjithashtu rreziku që provokimi i rendit ndërkombëtar nga Rusia mund të ketë gjithashtu një efekt destabilizues në pjesë të tjera të botës, ku rajonet delikate (që mund të prodhojnë kriza) po mbahen nën menaxhim me anë të marrëveshjeve të brishta dhe garancinë e fuqive të tjera.
Çfarë mund të nënkuptojnë ngjarjet e së enjtes, për shembull, për pretendimet e diskutueshme të Kinës ndaj Tajvanit? “E kam të vështirë të krijoj një lidhje të drejtpërdrejtë midis Ukrainës dhe Tajvanit” – tha Loss. “Ka një angazhim të gjatë për Tajvanin nga Shtetet e Bashkuara. Mendoj se do të ishte gabim të supozohej, se nëse SHBA nuk ndërhyn ushtarakisht në emër të Ukrainës, nuk do ta bënte këtë në emër të Tajvanit”.
Por situata në një rrafsh më të gjerë mbetet shqetësuese: Loss tha, se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë hapi mundësinë që aleancat e tjera mund të testoheshin dhe se garat e reja rajonale të armatimit mund të përsëriten. “Nëse e gjithë arkitektura e Aleancës fillon të shkërmoqet, dhe duket se është në interesin e Kremlinit që ta bëjë atë të shkërmoqet, kjo do të ushtronte shumë presion mbi një sërë vendesh që të paktën të flirtojnë me përhapjen bërthamore. Pasojat do të binin mbi sigurinë rajonale. Për shembull, nëse Turqia vendos të shkojë drejt asaj rruge, çfarë do të thotë kjo për Arabinë Saudite dhe Egjiptin?”
Tani Gjermania ka të ngjarë të përballet me presion të madh, si brenda dhe jashtë vendit, për të rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe për të ripajisur ushtrinë e saj. Të enjten, inspektori i ushtrisë, Gjeneral Lejtnant Alfons Mais, një nga ushtarakët më të vjetër të Gjermanisë, shkroi në LinkedIn, “Në vitin tim të 41-të të shërbimit në paqe, nuk do ta kisha besuar se do të më duhej të përjetoja një luftë tjetër. Dhe Bundeswehr-i, ushtria që unë jam i privilegjuar të drejtoj, është pak a shumë “e zhveshur”.
… Zgjedhjet që mund t’u ofrojmë politikëbërësve për të mbështetur aleancën janë jashtëzakonisht të kufizuara.”
Brenda natës, vendimi i Putinit duket se e ka bërë botën më pak të sigurt. Nëse do t’u besohet analistëve të sigurisë, tani është një botë ku marrëdhëniet politike mund të përcaktohen gjithnjë e më shumë nga forca ushtarake.