PS “mburojë” për mandatin e Xhaçkës, Kuvendi shtyn për në nëntor vendimin

Dhjetë muajsh pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zyra e kryetares së Kuvendit thotë se çështja e mandatit të Xhaçkës pritet të futet në axhendë për javët e para të nëntorit.

Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka vijon të shtyhet në Kuvend prej gati 10 muajsh. Shefi i kabinetit të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla i tha të hënën BIRN se kjo çështje pritej të diskutohej në javët e para të nëntorit.

“Konferenca e Kryetarëve do të vendosë datën e shqyrtimit dhe brenda 2 javëshit të parë të nëntorit, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve do të marrë një vendim,” tha Kosta Barjaba nëpërmjet një bisede telefonike.

Dy javë më parë, Barjaba shprehu bindjen se Nikolla do ta thërriste së shpejti këtë këshill dhe e justifikoi vonesën me “kalendarin e ngjeshur të punës”. Të hënën, ai pëmendi sërish axhendën e kryeparlamentares për shtyrjen e shqyrtimit të çështjes me një muaj. “Nuk do të jetë në Shqipëri 2-javëshin e dytë të tetorit,” shtoi ai.

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi në janar dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pasi opozita kërkoi heqjen e mandatit të saj për shkak se bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall nga qeveria “investitor strategjik”.

Opozita akuzon mazhorancën socialiste se po bën “avokaten e shkelësve të ligjit” dhe se “po shkel Kushtetutën”, duke shtyrë pafundësisht zbatimin e këtyre vendimeve.

“Zvarritja prej muajsh e kësaj çështjeje është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe mungesë respekti ndaj kësaj gjykate,” tha kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi për BIRN.

Sipas Bardhit, “ky është një tjetër rast që provon se Kuvendi në shkelje të Kushtetutës po mbyll çdo hapësirë institucionale për opozitën”.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në janar, çështja e mandatit të Xhaçkës i kaloi Këshillit të Legjislacionit, i cili pasi i mbajti në shqyrtim për disa muaj vendimet e GJK-së, doli në korrik me dy raporte për Kryetaren e Kuvendit, si autoritet ligjor që i duhet të vendosë për hapat e tjerë që do të ndjekë Kuvendi.

Socialistët i vunë në pikpyetje zbatimin e vendimeve dhe i sugjeruan Kryetares rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet. Ndërsa mendimi i pakicës sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Diskutimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetes socialiste nisi që në qershor 2022 kur opozita dorëzoi mocionin e saj në Kuvend, por dërgimi i tij në Kushtetuese për interpretim vijon të zvarritet në strukturat e Kuvendit, ku mazhoranca ka drejtimin dhe shumicën vendimmarrëse.

Gjykata Kushtetuese është organi kompetent që vendos për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në bazë të dispozitave kushtetuese që parashikojnë ndalimin e përfitimeve nga pasuria publike. Statusi “investitor strategjik” parashikon përfitime publike për fituesin, reduktim të TVSH-së, procedura të përshpejtuara administrative, akses në infrastrukturë dhe rrjetin elektrik, si dhe përdorimin e tokës shtetërore si plazh para hotelit./BIRN

About Redaksia

Check Also

Ardit Gjoklaj humbi jetën në landfillin e Sharrës, Këlliçi: Viktimizimi s’do e shpëtojë kreun e 5D për këtë vrasje

Drejtuesi politik i PD për Qarkut Tiranë, Belind Këlliçi ka reaguar në lidhje me vrasjen …

Leave a Reply