Nga Boldnews.al
Në 21 Prill të vitit 2021, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Gjykata e Strasburgut), me një vendim të paprecedentë, rrëzoi me urgjencë vendimin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme për sekuestrimin e serverit të redaksisë së medias on-line shqiptare, “Lapsi.al”.
Për strukturat e drejtësisë së re, “Lapsi” dyshohej se kishte shpërndarë të dhëna sensitive të qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që bëhej fjalë për publikimin e një liste që gjendej e përhapur gjerësisht në radhët e “Patronazhistëve”, një strukturë informale, por me nuanca para-militare të Partisë Socialiste në pushtet.
Vendimi për sekuestrimin e “Lapsit” u mor nga gjyqtarja e posaçme Ilirjana Olldashi, me kërkesën e prokurores Enkeleda Millonai, e njëjta që kërkoi së fundmi masën e sigurimit për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Urdhëri i sekuestrimit të “Lapsi.al”, nxjerrë nga prokurorja Enkeleda Millonai
Në vendimin urgjent që urdhëronte autoritetet shqiptare heqjen e sekuestros për serverin e “Lapsit”, “Strasburgu” aplikoi nenin 39 të Rregullores së Gjykatës, që parashikon të drejtën e kësaj gjykatë për të ndërhyrë në masa urgjente kur jemi përpara një rasti ekstrem të shkeljes së drejtave të njeriut.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut ishte një goditje shumë e rëndë për Gjykatën dhe Prokurorinë e Posaçme, në të cilën, siç thuhet, është përzgjedhur ajka e gjyqtarëve dhe prokurorëve me integritet personal dhe aftësi të larta profesionale.
Por, vendimi urgjent i Strasburgut dhe sidomos shkelja e zbuluar prej gjykatës që mbron Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, nuk duket se i ka shërbyer aspak prokurores Millonai.
Ajo vijoi me të njëjtat shkelje të rënda kushtetuese, pra edhe të të drejtave të njeriut, në rastin e kërkesës për marrjen e masave të sigurimit për ish-kryeministrin dhe deputetin, Sali Berisha, të cilat edhe në këtë rast përbëjnë njëlloj, shkelje të Konvetës Europian.
Natyrisht, “bashkëpunëtore” e Millonait në këtë rastin e dytë është edhe gjyqtarja e posaçme dhe, madje, kryetarja në detyrë, Irena Gjoka.
Më konkretisht, gjyqtarja Gjoka pranoi kërkesën e prokurores Millonai për caktimin e masave të sigurimit “ndalim për dalje jashtë shtetit” dhe “detyrim për paraqitje” për zyrtarin me funksion “deputet”, Sali Berisha.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme për Sali Berishë, etj
Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 73/2 të saj, parashikon se “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.
Me kërkesë të prokurores Millonai, gjyqtarja Gjoka ka miratuar dy masat për Berishën, duke i konsideruar si raste që nuk përbëjnë “heqje lirie të deputetit”, e për të cilat nuk duhej autorizim i Parlamentit.
Më thjeshtë, gjyqtarja dhe prokurorja i kanë dhënë të drejtë vetes për të intepretuar Kushtetutën, një tagër që nuk ua njeh aspak ligji.
Megjithatë, ky “intepretim” që i dy zonjave të drejtësisë së re, Millonai dhe Gjoka, është tërësisht në kundërshtim me vendimet e marra më herët nga Parlamenti, i cili është përcaktuar në Ligjin Themeltar si interpretuesi i parë i Kushtetutës (pas tij vjen Gjykata Kushtetuese).
Në Tetor të vitit 2017, Parlamenti pranoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda, i cili kërkoi autorizimin për ish-ministrin e Brendshëm dhe deputet në atë kohë, Saimir Tahiri.
Në vendimin nr. 104, datë 25 Tetor 2017, Parlamenti mori vendimin për “Dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ndalimin dhe detyrimin për të qëndruar në një vend të caktuar, si masë shtrënguese të heqjes së lirisë në kuptim të shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të nenit 232, të Kodit të Procedurës Penale”.
Vendimi i Parlamentit për Saimir Tahirin
Pra, për Parlamentin, si interpretues i parë i Kushtetutës, masat e sigurimit “ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore janë masa shtrënguese të heqjes së lirisë për deputetin dhe rrjedhimisht kërkojnë në mënyrë të prerë autorizimin paraprak nga ligjvënësit.
Kjo do të thotë se prokurorja e posaçme, Enkeleda Millonai, duhej t’i drejtohej Parlamentit për marrjen e autorizimit për të kërkuar më tej në gjykatë vendosjen e masave për deputetin Sali Berisha.
Por, prokurorja e ka tejkaluar me vetëdije këtë hap të rëndësishëm kushtetues e procedurial, duke gjetur edhe mbështetjen e gjyqtares në këtë veprim anti-kushtetues.
Një shkelje e tillë proceduriale, me pasoja tepër të rënda për sigurinë juridike, është e mbrojtur në mënyrë të posaçme jo vetëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por edhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, në pjesën që flet për “proces gjyqësor të drejtë”.
Në të dy rastet e vendimeve në shkelje flagrante të Konventës Europiane, si tek “Patronazhistët”, edhe tek masat shtrënguese për Berishën, gjendet e njëjta prokurore-Enkeleda Millonai.
Në të dyja vendimet, si tek “Patronazhistët”, edhe tek Berisha, përfituesi kryesor politik i masave të kërkuara nga prokurorja Millonai, është Edi Rama dhe Partia Socialiste në pushtet.