Lideri i opozitës, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në ditën e 74 të tubimit qytetar, tha se gjatë qeverisjes së PD-së nuk u mbyll asnjë shkollë, ndërsa në vitet e fundit janë mbyllur të paktën 700 shkolla.
Berisha tha se mësuesit shqiptarë, nga mësuesit më të mirëpaguar, zbritën në mësuesit më të keqpaguar në rajon, me rroga 30 përqind më të ulëta se në Kosovë.
“Mbrëmë ju njoha me 10-fishimin, 15-fishimin e çmimit të punëve publike në Shqipëri, krahasuar me Kroacinë, krahasuar me çdo vend tjetër të BE, në të cilat puna publike, ndërtimi bazohet në manuale shkencore, serioze, që diktojnë dhe përcaktojnë kosto dhe çdo gjë.
Por, në Shqipëri jo vetëm vidhen 80-90 përqind dhe ndonjëherë 100 përqind si në rastin e inceneratorëve, të parave tuaja të investuara në punë publike.
Po ato zvarriten tërkuzë gjersa jo vetëm që nuk kanë leverdi, por gjobisin qytetarët shqiptarë.
Ky ishte rasti i rrugëve. Por të marrim pak sektorët e tjerë.
Dhe prapë unë sonte dhe gjithnjë do ftoj qytetarët të bëjnë krahasimin e domosdoshëm.
Dhe nuk e bëj këtë se kjo na intereson ne, jo, kjo i intereson çdo qytetari.
I intereson për të gjetur të vërtetën në mjegullnajën, terrin e propagandës së sotme të mashtrimit.
Çfarë ndodh me arsimin shqiptar?
Një shërbim madhor, një shërbim themelor që prej shekujsh shteti është i detyruar t’u ofrojë qytetarëve, fëmijëve të qytetarëve.
Në qoftë se ndalemi dhe analizojmë zhvillimet në arsimin e Shqipërisë, nga viti 2005 deri në vitin 2024, në 19 vite, cilido që do të dijë të vërtetën, do gjejë se zhvillimet kanë qenë diametralisht të kundërta.
Se investimet e bëra nga viti 2005 në vitin 2013, bënë të mundur ndërtimin e 1300 shkollave dhe kopshteve në mbarë Shqipërinë.
Se investimet bënë të mundur rritjen me 100 deri në 130 përqind të rrogave të mbarë mësuesve të vendit.
Se investimet bënë të mundur shtrirjen e internetit, kompjuterit, kabineteve të informatikës në të gjitha shkollat e vendit.
Në këto vite, në 8 prej këtyre viteve, e vlerësuar në testin PISA, cilësia e arsimit u rrit në mënyrë vertikale.
Asnjë shkollë nuk u mbyll në ato vite për mungesë nxënësish. Asnjë klasë nuk u mbyll në ato vite për mungesë nxënësish.
Ftoj qytetarët shqiptarë, për të gjithë ata që e konsiderojnë shkollimin, e konsiderojnë arsimin si një proces themelor për edukimin, pasurimin me dije të fëmijëve tanë, për të ardhmen e Shqipërisë, të analizojnë pak vitet 13-24.
Çfarë ndodhi?
Mësuesit shqiptarë, nga mësuesit më të mirëpaguar, zbritën në mësuesit më të keqpaguar në rajon, me rroga 30 përqind më të ulëta se në Kosovë.
Kabinetet e informatikës u vodhën dhe u shpërbënë.
Shkollat filluan të mbyllen njëra pas tjetrës. Gjer sot, 700 shkolla janë mbyllur. Numri i nxënësve po shkon drejt përgjysmimeve.
Çfarë ndodhi?
Shkollat i pushtoi droga. Prindërit kanë frikë, tremben shumë, mjediset që krijohen rreth shkollave dhe në shkolla.
A janë të vërteta këto?
Këto janë të vërteta”, u shpreh Berisha.