NGA LEGJENDAT E POPUJVE TË AZISË
Përkthim
Agim Xh. Dëshnica
Magjistari Balkash na kishte një vajzë të bukur. E quanin Ila. Fama e saj ishte përhapur në tërë mbretëritë. Nga qytetet afër e larg e kërkonin për nuse bij mbretërish, djem të pasur, doktorë e tregtarë. Por, bukuroshja nuk pëlqente asnjë. Atëherë Balkashi vendosi. Ata që donin të martoheshin me të bijën, më parë duhej të tregonin aftësitë e tyre, duke u ndeshur me njëri tjetrin.
– Kush do të dalë më i zgjuar, më i shkathët e më i fuqishëm, do të marrë Ilën për nuse! – njoftoi magjistari.
Dëgjoi të flitej për vajzën edhe Katani, djalosh nga një familje e padëgjuar. Katani na kishte një çift kuajsh të shpejtë e të bukur. Ai dallohej për mençuri, guxim, shkathtësi dhe fuqi. Ashtu si gjithë të tjerët, djaloshi u nis për në pallatin e magjistarit të provonte fatin.
Balkashi nuk deshi aspak të bisedonte me të. Por, Ila sa e pa, ra në dhashuri me Katanin. Iu lut të atit, që edhe Katani të merrte pjesë në ndeshjet. I ati pranoi. Ai doli i pari në të gjitha garat, në gjë e gjëza, në mundje, në vrapimin në këmbë e me kuaj. Megjithatë, Balkashi nuk e mbajti fjalën. Si mund të pranonte ai për bijën e vet një dhëndër nga shtresë e ulët!
Vajza u dëshpërua aq shumë, sa gjithë ditën derdhi lot. Natën, fshehtas, e takoi Katani dhe i tha:
– Nëse ti më dashuron, hajt të arratisemi!
Ajo u hodh përpjetë nga gëzimi. Po atë natë ata të dy u larguan me kuajt e djalit të dashuruar.
Balkashi, me të marrë vesh arratisjen e tyre, u egërsua. Zëri i tij jehoi si bubullimë nëpër fusha e lart në male. U thirri të ikurve të ndalonin, por ata vraponin si era. Atëherë, magjistari u hodh me tërbim nëpër fushë. Tek po u afrohej, befas nën këmbët e kuajve të shpejtë u bë liqen. I gjerë e i thellë është liqeni edhe sot. Në sipërfaqen e tij pasqyrohen malet hijerëndë mbuluar me re e borë.
Qysh prej asaj kohe, liqeni mban emrin Balkash. Ilën e Katanin, me anën e magjisë, Balkashi i fuqishëm i ktheu në lumenj. Ditë e natë nga drejtime të ndryshme, ata të dy rrjedhin me rrëmbim në liqenin e madh. Shekuj me radhë ushtojnë së bashku pa pushim me valë të shkumëzuara. Përpiqen më kot të shkrihen në një lumë të vetëm.