Tender i ri 1.3 mln euro për rehabilitimin e sheshit
Procedura në vitin 2015 u fitua nga Lefter Alla
Bashkia e Shijakut pritet të shpallë një procedurë në vlerë 1.3 milionë euro për “rivitalizimin e sheshit” të qytetit, vetëm pak vite pas u shpenzuan 800 mijë euro të tjera për të njëjtin objekt, në kuadër të projektit qeveritar të “Rilindjes Urbane”.
Bashkia e drejtuar nga Elton Arbana ka vendosur të zhvillojë në Dhjetor të këtij viti procedurën me objekt “Rivitalizimi urban i sheshit të qytetit”. Fondi limit për këtë projekt është 132 milionë lekë të reja ose rreth 1.3 milionë euro.
Në vitin 2015, Bashkia e Shijakut zhvilloi një procedurë të ngjashme. Në Maj të vitit 2015, kryebashkiaku i asaj kohe, Indrit Buka, nënshkroi kontratën për rehabilitimin e qendrës së Shijakut me kompaninë “Alb Leaa International”, e cila në atë kohë ishte në pronësi të Lefter Allës. Ky u fundit, në vitin 2019 mori postin e kryebashkiakut të Bulqizës nga Partia Socialiste dhe më vonë Akoma u arrestua për aferë tenderash.
Por, ai projekt duket se është rrëzuar plotësisht dhe Bashkia e Shijakut, tashmë nën drejtimin e Arbanës, ka vendosur të shpenzojë 1.3 milionë euro të tjera, ose rreth 400 mijë euro më shumë se sa shpenzimi fillestar.
Për momentin nuk janë publikuar detaje se përse është i nevojshëm ky shpenzim dhe çfarë synohet të realizohet nëpërmjet tij.
Megjithatë, dallohet lehtësisht se “Rilinda Urbane” në Shijak është rrëzuar tashmë, ashtu siç ka ndodhur edhe në shumë qytete të tjera.
Prej vitit 2014, qeveria e Edi Ramës ndërmori një sërë projektesh të shtrenjta për rehabilitimin e fasadës në shumë qytete të ndryshme, e cila u emërtua “Rilindja Urbane”.
Një pjesë e mirë e këtyre projekte, megjithëse kanë marrë miliona euro nga Buxheti i Shtetit, janë prishur e dëmtuar, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e shërbimit dhe qëllimin e përdorimit të fondeve.