Gjykata urdhëron ministrinë e Shëndetësisë të publikojë projektin e spitalit të Kurbinit

Gjykata Administrative në Tiranë pranoi padinë e organizatës Sebastia dhe urdhëroi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale të vërë në dispozicion projektin për spitalin e Kurbinit, të cilin kishte refuzuar ta jepte pas kërkesave të përsëritura për informacion.

Gjykata Administrative në Tiranë pranoi të hënën padinë e organizatës Sebastia dhe urdhëroi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale të vërë në dispozicion projektin për spitalin e Kurbinit.

Projekti i spitalit dhe procedurat e ndërtimit i ishin kërkuar ministrisë përmes kërkesa për informacion nga organizata Sebastia, por institucioni shtetërore kishte refuzuar të përgjigjej.

“Mund të ndajmë me ju gëzimin se pas 8 muajve punë më në fund do të kemi në dorë projektin e plotë të Spitalit Bashkiak Kurbin, një e drejtë që na e garanton shteti me ligj, pasi klasifikohet informacion publik, por na ishte mohuar”, tha Elton Laska, përfaqësues i organizatës Sebastia.

Spitali i Kurbinit u dëmtua nga tërmeti në nëntor 2019 dhe u ishte premtuar banorëve se do të ishte gati pak muaj pas prishjes, por dy vjet më vonë punimet ende nuk kanë përfunduar, ndërsa projekti dhe procedurat për rindërtim iu fshehën publikut.

Organizata Sebastia tentoi disa herë të merrte informacion në lidhje me planet. Laska tha se ata kishin bërë 10 kërkesa për të drejtë informimi që t’iu vihej në dispozicion projekti i plotë i spitalit të Laçit, procedura e tenderimit dhe arsyet për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve dhe datën se kur do të përfundonte ndërtimi. Por ata nuk morën përgjigje në asnjë prej kërkesave.

Pas kësaj organizata “Sebastia” ju drejtua gjykatës e cila vendosi të hënën “detyrimin e palës së paditur Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të vendosur në dispozicion të organizatës “Sebastia” një kopje të projektit të plotë në Spitalit Bashkiak Kurbin, informacionin lidhur me punimet për zbatimin e tij, në përputhje me ligjin 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, duke respektuar kufizimet e përcaktuara në nenin 17, pika 6 të këtij ligji”.

“Spitali është një domosdoshmëri për Kurbinin, pasi ju shërben 80 mijë banorëve. Ishte premtuar se do të ishte gati 6 muaj pas tërmetit, por kur kanë kaluar më shumë se dy vite punimet ende nuk kanë përfunduar dhe Kurbini vijon të jetë pa spital”, thotë Laska. /BIRN

About Redaksia

Check Also

Investigimi/ Trafik kokaine me taksitë në Tiranë, pamje e prova, por policia hesht

Me shprehjen “e dinim” që nën zë e qarkullojnë këto ditë ata që duhet të …

Leave a Reply