Krimi bën ligjin, ekzekutohet me armë në rrugë një 35-vjeçar në Peqin

Një tjetër vrasje ka ndodhur mëngjesin e sotëm. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:40 në fshatin Gjoçaj të Peqinit, ku u ekzekutua me armë 35-vjeçari Albi Bashaliu. Viktima ndodhej në rrugë kur u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Dyshimet e para janë se, krimi ka ndodhur për hakmarrje, pasi vëllai i viktimës së sotme, Leonard Bashaliu, më 8 qershor 2021, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Ylber Xhahysa. Ky i fundit u qëllua po me armë zjarri pas një konflikti për motive të dobëta që pati me Leonard Bashaliun, i cili u arrestua nga policia dhe ndodhet në burg. Në atë kohë u raportua se mes Ylber Xhahysës dhe Leonard Bashaliut kishte pasur një konflikt 5 vite para se të ndodhte krimi, për shkak të një gërvishtjeje makine. Dukej se mëria mes tyre është ruajtur gjatë, deri në mëngjesin e 8 qershorit 2021, kur Leonardi ekzekutoi Ylberin, i cili humbi jetën në spital.

“Policia kap dhe vë në pranga disa minuta pas ngjarjes, autorin e vrasjes së 45-vjeçarit, ndodhur në fshatin Gjocaj, Peqin.

Më datë 08.06.2021, rreth orës 08:30, në fshatin Gjocaj, Peqin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi L. B, rreth 40 vjeç, banues në Gjocaj, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Y. Xh, rreth 45 vjeç, banues në fshatin Pajov, i cili si pasojë e plagëve ta marra ndërroi jetë në spitalin e Peqinit.

Reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin e autorit, lokalizimin e vendndodhjes dhe pas disa minutash ndjekje nga shërbimet e Policisë u bë e mundur kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar së bashku me armën e zjarrit pistoletë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftonte policia lidhur me ngjarjen e ndodhur pak muaj më parë.

Kjo ngjarje duket se është edhe pista kryesore që po hetohet nga Grupi Hetimor lidhur me ekzekutimin në rrugë të Albi Bashaliut. Policia tha se krimi ka ndodhur rreth orës 08:39 të mëngjesit të së hënës, në të njëjtin fshat, ku pak muaj më parë vëllai i tij ekzekutoi Xhahysën.

Nga raportimet, gjithashtu mësohet se viktima e sotme, Albi Bashaliu, rezulton të jetë i arrestuar në vitin 2017, pasi akuzohej se për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy personave.

Në atë kohë, Albi Bashaliu qëlloi me automatik në drejtim të V.SH, 57 vjeç dhe A.B, 38 vjeç, banues në Peqin. Policia sekuestroi në vendngjarje në cilësinë e provës materiale, 18 gëzhoja armë zjarri model 56 të kalibrit 7.62mm, 1 fishekë i pa plasur model 56 të kalibrit 7.62mm si dhe një automjeti tip ‘Volksëagen’ me targa AA 226 ES në pronësi të shtetasit Albi Bashaliut.

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply