Berisha me demokratët në Vlorë: Ne ngritëm një opozitë që ngjall shpresë dhe besim!

Lideri historik i PD, Sali Berisha i ftuar në takimin e 31-vjetorit të themelimit të PD në Vlorë, shprehu vlerësime për këtë degë, por edhe evidentoi momentet kritike të saj.

“Në historinë e saj, PD ka pasur te dega e PD-së në Vlorë, momente kritike të saj. Një degë shpëtimtare, janë të pashlyera në memorien time dhe në memorien e Vlorës dhe të Shqipërisë, rastet kur pas rrëzimit të kultit të Enver Hoxhës në Tiranë, nomenklatura e kuqe vendosi të shndërrojë Vlorën në bastionin e ri të stalinizmit. Por kjo nuk ndodhi. 150-200 djem, me në krye drejtuesit të PD-së të asaj kohe, dolën te Ura e Mifolit dhe i thanë Ramiz Alisë që të mos nisë hordhitë në Vlorë. Plani dështoi dhe Vlora mbeti bastion i PD-së dhe demokracisë shqiptarë. Por përsëri, nuk mund të mos theksoj këtu se demokratët e Vlorës, në vitin 1998, me mitingun që zhvilluan pas rebelimit komunist, ngritën peshë PD-në drejt fitores në zgjedhjet që do të vinin”, tha Berisha.

Por ai shtoi se demokratët në Vlorë u tradhtuan nga Lulzim Basha.

“Demokratët e Vlorës u gjetën sistematikisht të tradhtuar nga një njeri, që do hyjë në historinë politike të Shqipërisë, si politikani më i papërgjegjshëm ndaj forcës së tij politike dhe ndaj vendit. Sot kemi rastin të ndjehemi krenarë, sepse në qoftëse hedhim një sy në hartën politike të Europës post-komuniste, forca politike si e jona, janë arkivuar në histori, përveçse në Hungari. Mirëpo ne, mbijetuam. Në rast se Fideszi në Hungari pati rastin të ketë një lider të vendosur që e çonte nga fitorja në fitore, PD pati fatin e keq të ketë një njeri që e çoi nga disfata në disfatë. E megjithatë më 25 prill ne ishim bashkë 620 mijë shqiptarë, një forcë politike madhore, por pa një kokë. Vetëm 19 përqind i besonin kryetarit të PD. 81 përqind, ose më vizionarët, nuk kishin besim te ai. Në datë 26 prill, në vend që të mbushte sheshet, për të mos pranuar një palë zgjedhje, që u zhvilluan me sistemin më antidemokratik të patronazhistëve, u zhvilluan me blerjet masive të votës, njeriu që e shpalli si masakër zgjedhore do shndërrohej në tradhtarin më absolut të demokratëve. Në vend që të merrej me manipulimin e votës së tyre, u mor me manipulimin e votës së tyre për të garantuar karrigen”, tha Berisha.

Më tej ai shtoi se demokratët ia kanë prerë biletën Lulzim Bashës.

“Ne votuam të lirë, ne u mblodhëm në Foltoret tona anekënd Shqipërisë, në një bisedë të hapur dhe të sinqertë. Përkundër presioneve, firmosën për të thirrur Kuvendin tonë. Ata që drejtonin, i kapi një tmerr nga ju sepse ata nuk pranonin forumet dhe anëtarësinë. Mblodhëm Kuvendin e 11 dhjetorit, mrekullinë e vërtetë të pluralizmit shqiptar. Pas këtij kuvendi, ne mahnitëm shqiptarët, por edhe demokratët e konservatorët në botë, me referendumin e 18 dhjetorit, në të cilin ju, më shumë se kurrë ndonjëherë, ushtruat të drejtën e votës dhe i pretë biletën njeriut që do mbetet në historinë politike të vendit me nofkën: Lulzim Brava”, tha Berisha.

“Ne e mbyllim vitin, që në shumë aspekte do ishte i tmerrshëm për shqiptarët, kur narkoshteti mori mandatin e tretë në mënyrë të pamerituar, ne mbyllim vitin kur shqiptarët përjetojnë një varfëri të tejskajshme, janë sot qytetarët më të plaçkitur, në një kohë kur papunësia ka mbuluar vendin. Por përsëri ndryshimi është si nata me ditën. Ne mbyllim vitin me një opozitë të vërtetë, një opozitë që ngjall shpresë dhe besim, një opozitë që do jetë avokate e shqiptarëve. Ne e mbyllim vitin me një forcë politike të vendosur për t’u përballur dhëmb për dhëmb me narkoshtetin, me një forcë politike që i thotë dinjitetit të njeriut, dinjitet njeriu. Me një forcë politike që mban si interes madhor kombëtar, integrimin e Shqipërisë në BE dhe orientimin euroatlantik të saj.

Të gjitha këto janë premisa që viti i ardhshëm të jetë një vit mrekullish për demokratët dhe për shqiptarët kudo që janë”, tha Berisha, duke uruar vlonjatët dhe mbarë shqiptarët për një vit të ri sa më të mirë dhe më të mbarë.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply