Gazetari Artan Hoxha tha se selia e Partisë Demokratike është duke u fortifikuar me dyer të blinduara. Hoxha u shpreh se këto janë masa për shkak të paralajmërimeve për datat 5 dhe 8 Janar, ultimatumit të Sali Berishës.
“Po fortifikohet në tërësi sistemi i mbrojtjes së godinës. Pjesa e xhamave nga brenda janë vendosur kangjella nga jashtë adeziv. Nëse tenton të thyesh xhamat ke kangjellat dhe dy dyert e brendshme janë vendosur dyer të blinduara.
Në parkingun që ka qenë i lirë hyhet vetëm me autorizim dhe hyjnë vetëm makinat e drejtuesve. Ata që e administrojnë sot godinën thonë që ne kemi marrë masa” deklaroi Hoxha te Opinion. Punimet në selinë e PD-së nisën mesditën e sotme dhe u interpretuan në media si rifreskim në nisje të vitit të ri.
Dera e hyrjes kryesore dhe xhamat e selisë u veshën me logon dhe simbolet e PD, por sipas gazetarit Hoxha kjo nuk është rastësi dhe nuk ka të bëjë thjeshtë me fasadën, por janë masat që po merren pas ultimatumit të Sali Berishës, që i ka vendosur afat Lulzim Bashës që të largohet nga selia deri në 5 Janar, në të kundërt, ish-kryeministri paralajmëroi se “do ta nxjerrim butësisht në 8 janar”.