Përfaqësuesit e Komisionit të Rithemelimit të PD kanë mbërritur në selinë e PD, por e kanë gjetur atë të blinduar dhe të izoluar.
Flamur Noka ka tentuar që të hapë dyert, por ka qenë e pamundur. Deputeti Noka tha se, Basha është vetëburgosur, duke e kthyer PD-në në burgun e Alkatrazit.
“Një grup deputetësh dhe deputetesh, anëtarë të grupit parlamentar të PD, erdhëm në selinë e PD, në shtëpinë tonë për të zhvilluar një takim, një mbledhje me axhendën që do ketë grupi parlamentar dhe PD për vitin 2022.
Ajo që po konstatojmë me dhimbje është se shtëpia e lirisë duhej të ishte një ambient festiv që gumëzhin, ku gjejnë veten të gjithë demokratët. Por për fat të keq, Edi Rama dhe pengu i tij e kanë kthyer PD-në në një Alkatraz të kohëve moderne.
E patë edhe vetë, gjithçka e mbyllur dhe e blinduar, a thua se e ka kthyer PD-në në një burg të sigurisë së lartë. Pengu i Ramës mund të rrijë i vetëburgosur. Edi Rama e ka vetëburgosur pengun e tij, por Rama e ka shumë gabim: mund të burgosë pengun e tij, por kurrë nuk do të mund të burgosë shpirtin e lirë të demokratëve”, tha Noka.