Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike thotë se protesta e 8 janarit për largimin e Lulzim Bashës ishte vetëm hapi i parë për të marrë selinë.
Anëtari i këtij Komisioni, Ervin Minarolli tregoi se ka nisur puna për riorganizimin e strukturave të partisë në çdo qelizë në mënyrë që të gjithë vendimet e Kuvendit të përmbyllen deri më 22 mars.
“Ne nuk jemi një parti e re, ne e kemi eksperiencën, kemi ngritur grupe pune. Janë po ato grupe që mblodhën firmat për të krijuar strukturat e reja”, tha Minarolli për A2CNN.
Në respekt të statutit të miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit, Minarolli shpjegoi edhe mënyrën e zgjedhjes së strukturave të reja, si dhe rikonfigurimin e ri të Kuvendit Kombëtar të partisë.
“Është futur parimi 1 anëtar, 1 votë për drejtuesit e degëve. Delegatët e Kuvendit do të zgjidhen nga Kuvendi i degës dhe nga 7 mijë anëtarë, do të kemi kuvendin me 1000 e ca delegatë.
Me bindjen se shumica është në anën e tyre, mohoi që krijimi i një partie të re nga mbështetësit e Sali Berishës të jetë opsion.
“Do të kishim frikë nga ndarja nëse forcat dhe bazat do të ishin të barabarta, por baza është dukshëm në favorin tonë”, tha ai.
Pas Kuvendit të 22 marsit, rithemeluesit i hapin rrugë garës për kryetarin e ri të partisë.