Dy M-të përballë Adriatikut!

Nga Alba KEPI

Janë vështirësisht të krahasueshme profilet e dy M-ve të vendeve përballë Adriatikut. por lehtësisht të komentueshme nga qasja qeveritare që një zgjedhje e tillë kërkon.

Dy vendet përballë Adriatikut. Shqipëria e Italia, kanë nisur 2022 me një betejë të rëndësishme institucionale; zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

Dy M-të, më të fuqishëm të dy vendeve, Mattarella e Meta, përfundojnë mandatin e tyre.

Më 24 janar parlamenti italian, do të zgjedh Presidentin e ri, ndërsa më 24 korrik 2022 do jetë Parlamenti Shqiptar i cili duhet të ketë axhendën e përgatitur me kandidaturat për Presidentin e ri të Shqipërisë.

Dy vendet përballë Adriatikut, lidhur nga ujërat e të njëjtit det, kanë linja e largësi institucionale, etiko-politike, si të pozicionuara gjeografikisht nga një pol në tjetrin, e historikisht nga një epokë në tjetrën.

Në Itali, një nga katër ekonomitë më të fuqishme të Europës, në emër të bashkimit kombëtar e stabilitetit të vendit, pas dy viteve shkatërruese pandemike, kërkohet rizgjedhja e Presidentit në largim o garancia e një figure institucionale që bashkon të gjitha forcat politike.

Në Shqipëri sistemi patronazhist i kontrollit të votës qytetare, i kamufluar me një emër të ri “Këshillimi Kombëtar”, ka nisur “bombadimin” social e mediatik, me supremacinë idealiste e jo kushtetuese të kreut të qeverisë, që kërkon të kontrolloj e të orientoj votat për figurën më të lartë institucionale e përfaqësuese të shtetit. Kjo lloj taktike, tashmë e dalë boje e së majtës shqiptare, përkthehet në gjuhën politike e sociologjike, frikë nga e papritura.

Në Itali gjithcka është gati për votimin e fshehtë me garancinë që në kohën e pandemisë, të mos u mohohet vota asnjë deputeti, senatori e delegati qoftë i infektuar, e askush të mos privohet nga ky detyrim e përgjegjësi kushtetuese.

Në Shqipëri, vendi më i korruptuar në Ballkan, dokumentuar nga studime politike e klasifikime parametrash botërorë, me varfëri e borxhe që janë më të thella se hendeqet mes partive, Presidenti është shkarkuar para afatit e pas një votimi monopartiak.

Në Itali kryeministri italian fjalëpak e punë shumë, me një karrierë profesionale që e detyroi t’i shërbej kombit, përgjigjet qartë e bindshëm se gjëja thelbësore për të, “është bashkimi e mazhoranca politike, një mazhorancë që për një zgjedhje kaq të rëndësishme sic është numri 1 i shtetit, duhet të jetë akoma më e gjerë se aktualja, pasi nuk mund të imagjinohet një mbështetje e pranueshme nga të gjitha forcat politike për qeverinë, nëse nuk ka një emër përfaqësues që bashkon shumicën”.

Në Shqipëri, kryeministri i salloneve fejsbukiane, që merr ofiqet për të folur dhe në emër të opozitës, me një funksion politik që i garantoi “suksesin” profesional të ekspozitave në botë, e me “guximin” e zëvendësimit të dhuratave shtetërore me artin e tij, në shkelje të Kushtetutës që parashikom nisjen e procedurave organizuese të zgjedhjes së Presidentit të ri, jo më vonë se 60 ditë para skadimit të mandatit, shpreh fjalë që vec bashkimin kombëtar nuk kërkojnë. Si një deja-vu e historikut të qeveritarëve të tij, thotë; “Pas një serie personazhesh që e kanë degraduar figurën e Presidentit në një prezencë minuse për institucionin e Kreut të Shtetit, kemi përgjegjësinë e madhe qytetare, politike dhe kushtetuese që ti japim popullit shqiptar në krye të shtetit një njeri normal në radhë të parë, një kryetar dhe kryetare shteti që ti kthejë normalitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së Presidentit të Republikës.”

Në Itali, asnjë kryeministër, asnjë lider politikë, ministër o politikanë nuk do të kryente kurrë një akt të tillë me zë e figurë për të ofenduar e injoruar fugurën më të lartë të kombit.

Në Shqipëri bëhet me një lehtësi kaq papërgjegjëse e njëjtë me papërgjegjësiën që kërkojnë të jesh patriot duke fshehur, mos folur e publikuar emrat e grabitësve, hajdutëve, kriminelëe të pasurive kombëtare.

Por nuk ka degradim më të madh për kombin kur gjatë këtyre 8 viteve pushtet i majtë, anëtarë qeverie shkarkohen me akuza të rënda si bashkëpunëtorë grupesh kriminale e trafiqe të paligjshme, kur qeveritë lokale fitojnë zgjedhje moniste, e kur në dy mandate nuk ka mundësuar të reformojnë shtyllën pilastre të sigurisë së një komuniteti; Drejtësinë!

Janë vështirësisht të krahasushme profilet e dy MM të vendeve përballë Adriatikut. por lehtësisht të komentueshme nga qasja qeveritare që një zgjedhje e tillë kërkon.

Gjatë këtyre 7 viteve që Presidenti italian ka drejtuar vendin, Italia ka ndërruar disa qeveri e kryeministra. E drejtë të lexohet si shenjë e një paqëndrueshmëri politike, por po aq e drejtë është se është dhe dëshmi e një demokracie të vërtetë që lundron e qetë, e lirë, brenda koalicioneve politike e partive, me minisitra e kryeminsitra që kolltukun nuk e përdorin si këmishë force për të shtypur opozitën e mbyllur gojën qytetarëve, profesionistëve, artistëve, sportistëve, mendimeve ndryshe me o pa pushtet.

Gjatë këtyre 5 viteve, qe Presidenti shqiptar ka drejtuar kombin, Shqipëria nuk ka ndryshuar qeverisje e as kryeministër. E drejtë ta lexosh si një qëndrueshmëri politike, e vështirë ta besosh se është një vend ku demokracia repektohet. Në zgjedhjet lokale nuk mori pjesë asnjë parti opozitare e në zgjedhjet politike, raportet botërore flasin qartë për manipulim e vedhje të votës. Databaza socialiste me një listë qytetarësh si në një listë Gestapo kontrollonte orientimin politik e të dhënat personale të cdo qytetari, ndërsa databaza institucionale zbardhi emra gazetarësh, ekspertësh, profesionistësh, figura publike që në një listë si regjistri i një mafiozi, paguheshin për shërbime politike.

Në vendet përballë Adriatikut, dy M- Presidentë preferohen të zëvendësohen nga figura femërore.

Në Itali të gjithë janë të bindur se ky vend ka sot më shumë se kurrë nevojën për një figurë femre në pozicionin më të lartë institucional të një kombi. E jo për kuotat roza që kur orientohen pa asnjë meritë janë më diskreminuese e poshtëruese se cdo sjellje maskiliste, por për historinë që figura e gruas italiane ka pjekur në këtë moment.

Gra politikane nga të gjitha forcat politike kanë dëshmuar se kanë autonominë, aftësinë, eksperiencën, formimin, koherencën, dinjitetin e historikun profesional për të përfaqësuar kombin italian.

Në Shqipëri, ky vend gjeografik europian me numrin më të lartë të ministreve femra, në këto muaj të mandatit të tretë, gratë ministre kanë dëshmuar varësinë e plotë nga urdhërat e një shefi burrë, që kontrollon funksionet e tyre e që nuk u dëgjuan kurrë në mbrojtje të halleve të grave, vajzave, femrave shqiptare, jeta e dinjiteti i të cilave u vu shumë herë në provë.

E kjo preferencë denigrohet pa u nisur, nga orientimi pa skrupull i atij që e ka zgjedhur tashmë emrin e gruas Presidente shqiptare e që për formë, sy e faqe publike, i duhet sistemi patronazhist i Këshillit Kombëtar, për ta dekretruar, pa e votuar.

E lehtë të sulmosh këto rreshta nëse mendohet se po krahasohen dy figura institucionale, pra dy M më të larta të dy vendeve përballë Adriatikut, e shumë më e vështirë të jetosh mes dy vendeve e të ndjekësh qasjen qeverisëse thellësisht të largët mes dy vendeve që lagen nga i njëjti det.

E kush përdor patriotizmin për t’i gjykuar. nuk do gjej shprehje më antikombëtare se sa sharja qe kreu i një qeverie i bëri figurës më të lartë të shtetit shqiptar, e jo emrit te tij!

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply