Demokracia e primareve dhe impakti pozitiv i saj!

Enver Bytyçi

Çdo vend ka karakterisikat e modelin e vet të ushtrimit të demokracisë. Kur shtetet ushtrojnë demokracinë, si të vetmen formë të qeverisjes, merr pak vëmendje modeli që aplikohet. Por në Shqipëri dhe vendet e rajonit tonë demokracia e primareve është jetike për t’u mbrojtur nga autokracia, oligarkia, timokracia, apo edhe tirania.

Primaret janë model amerikan. Aplikimi i këtij modeli i ka dhënë shtetit amerikan tipare të veçanta me garanci shtesë për të mbrojtur sistemin demokratik të qeverisjes. Ndërsa në Shqipëri prej dy dekadash qytetarët dhe vetë politikanët ankohen për mungesë të demokracisë sa i përket përzgjedhjes së atyre që do të duhet të kandidojnë dhe përfaqësojnë sovranin. Shumica e shohin imponimin e kryetarëve si difekt të kushtetutës, por jo edhe si vullnet të politikës për të ndryshuar vetë ajo.

Edhe ndryshimi i kushtetutës kërkon ndryshimin e vullnetit të politikës. Dje u pa se demokracia funksionon edhe pa ndryshuar kushtetutën. Mjafton që partitë politike të përdorin modelin amerikan të primareve. Rretth 5500 demokratë votuan dhe zgjodhën kandidatin e preferuar për kryetar bashkie në Durrës, Shkodër, Lushnjë, Vorë, Peshkopi dhe Rrogozhinë. Me datën 6 mars do të zgjidhen gjashtë kryetarë të rinj të bashkive. Ishtë shumë e lëhtë që të mblidheshin një grup politikanësh e të vendosnin për këtë. Akoma më e lehtë ishte që kryetari, ose lideri t’i vendoste vetë emrat e kandidtëve. Por nuk u ndoq kjo rrugë. U bënë votime të fshehta për personat e përzgjedhur. Kjo është liria e vërtetë e përfaqësimit në një demokraci funksionale.

Kur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të Tiranës ishte ngritur në pranverën e vitit 2017 çadra, lideri i demokratëve, Lulzim Basha, zotohej çdo ditë në fjalimet e tij se do të kthente vendimmarrjen te qytetarët. Por ndodhi që listat i bëri më 17 maj natën së bashku me Edi Ramën. Nuk e mbajti premtimin e dhënë. Nuk iu drejtua modelit të primareve. Më pas, gjatë gjithë kohës, u shfajësua se “nuk pati kohë” ta bënte diçka të tillë. Në fakt koha provoi se nuk donte ta kalonte vendimmarrjen te anëtarësia e Partisë Demokratike. I duhej ta mbante në duart e veta për të krijuar grup parlamentar servilësh! në mos për të zhvatur edhe para të pista nga kandidatët që ai vendosi.

Fatkeqësia është se edhe për zgjedhjet e 25 prillit 2021 Lulzim Basha përdori metodat perfekte të mashtrimit të tipit të Sorosit, kur thirri anëtarët e PD-së në votim, jo për të vendosur për kandidatët, por për t’u shprehur se kush nga ata nuk e meritonte kandidimin. E në fund as këtë mendim të demokratëve nuk e respektoi. Kandidoi ata që deshi. Madje keqpërdori edhe një komision vlerësimi të çuditshëm në llojin e vet, të cilin më vonë e injoroi plotësisht. Premtimi i katër viteve radhazi për primaret u shua, u harrua.

Vendimin përsëri, edhe pas katër vitesh, e mori vetë kryetari Basha.

Ai, demokrati Basha që u buzëqeshte të gjithëve, provoi se nuk është ndonjë “demokrat” i lindur. Përkundrazi rezultoi të ishte demokrati i shpikur i Sorosit. Sepse demokracia nuk është buzëqeshja, as kollarisja, as “mirësjellja” në pamje të jashtme. Demokracia është aplikim modelesh të vlerësuara. Ajo që ndodhi të dielën e shkuar me anëtarët e Partisë Demokratike për votimin e të zgjedhurve për kandidim ishte unike në historinë e politikës shqiptare, jo vetëm në Shqipëri.

Thonë se ka ndodhur edhe në vitin 2000 apo 2003. Po. Edhe atëherë ishte një përpjekje për të përzgjedhur kandidatët për kryetarë të Bashkisë së Tiranës përmes një lloj primaresh, por me konventë. Jo me votën e anëtarve. Kjo që ndodhi të dielën me deomkratët e Durrësit, Shkodrës, Lushnjës, Vorës, Peshkopisë dhe Rrogozhinës është një model unik në rrafshin shqiptar. Prandaj dhe kjo datë e 30 janarit 2022 do të shënohet në histori. Eshtë datë e rikthimit të demokracisë e të besimit te vota e qytetarëve. Eshtë momenti i kthesës historike në ushtrimin e të drejtës demokratike. Eshtë dallëndyshja e parë e demokracisë shqiptare. Ndonëse me shumë vonesë!

Eshtë lehtë t’i shkruash përkufizimet e mësipërme. Por duhet thënë se si të jenë zgjedhjet, ashtu do të jetë edhe qeverisja. Dhe zgjedhjet fillojnë e shtrembërohen ose realizohen drejt e pastër në përcaktimin e kandidatëve përfaqësues. Përcaktimi i kandidatëve nga kryetari çon në formulën e përzgjedhjes sipas pozitës ekonomike, financiare dhe sociale, por jo sipas formulës së kontributeve, dijeve dhe integritetit moral të tyre. Pikërisht këtu fillon ndryshimi. Sokrati e shihte drejtësinë e vendimmarrjes në institucionet e shtetit si produkt i njerëzve që e drejtonin atë. Njerëzit e moralshëm, thoshte Sokrati, prodhojnë një shtet të së drejtës dhe e kundërta. Të tjerë filozofë e shihnin ndryshe këtë aspekt. Por Sokrati mbetet filozofi i sakrificës për të drejtën dhe shtetin e së drejtës. Primaret garantojnë pikërisht atë që kërkonte filozofi grek i antikitetit.

Në demokracinë dhe kushtetutën amerikane zbatohet pikërisht ky përcaktim sokratian. Qytetari ka të drejtën të vendosë për përfaqësuesit e tij. Madje emrat e kryetarëve të partive në Amerikë pak kush i njeh, sepse ata nuk mund të vendosin për emrat e kandidatëve që përfaqësojnë sovranin. Drejt këtij modeli shkohet, nëse fillohet e zbatohet modeli i primareve. Roli i kryetarëve në këtë rast zbehet dhe për pasojë edhe përplasjet e konfliktet politike zbuten në maksimum. Për njëmijë arsye primaret janë të domozdoshme për demokracinë shqiptare në Shqipëri e kudo. Por mbi të gjitha se votuesit nuk kalkulojnë me të fortit për të dalë në duelin politik kundër njëri-tjetrit, siç bëjnë kryetarët e partive!

About Redaksia

Check Also

Historia 26 vjeçare e një hajduti të pandëshkuar!

Nga Petrit VASILI Plot 26 vjet është historia e vjedhjeve të pandërprera të Edi Ramës. …

Leave a Reply