Vilhelme Vranari Haxhiraj, një luftëtare e veçantë dhe stoike e demokracisë

Nga Bujar LESKAJ

Vilhelme Vranari Haxhiraj ka qenë e ngelet një luftëtare e veçantë dhe stoike e demokracisë dhe e emancipimit, të drejtave të grave, ndërtimit të një shoqërie të mundësive të barabarta, por veçanërisht letërsisë e artit… Në vitin 2005 e kam vlerësuar: “Nëse Gjirokastra ka Musine Kokalarin, qyteti ynë ka bijën e vet, Vilhelmen, të cilën pa druajtje e quaj “Musine Kokalari e Vlorës””.

Sikundër thotë për të prof.dr. Eshref Ymeri: “Krijimtaria e saj është një ngrohtësi që përcjell dridhërimën e zemrës, delikatesën e ndjenjave dhe fisnikërinë e shpirtit të saj bujar. Ështe gatishmëria për të ndarë me njerëzit e mirë pasurinë shpirtërore dhe zjarrin e zemrës së saj. Është aftësia për të ndarë me njerëzit e afërt hapësirat e gëzimit dhe honet e trishtimit. Është aftësia për të përjetuar bashkërisht lartësitë e haresë dhe tatëpjetat e dëshpërimit.”

Ndaj sot në Vlorë ishte kënaqësi që në një datë jubile, ditën kur 30 vite më parë u krijua dega e LDG- Vlorë, të promovohej libri i saj “Lidhja Demokratike e Gruas Vlorë”, i cili nën lejtmotivin “Demokracia nuk ndërtohet kurrë nëse nuk ka një shoqëri të emancipuar dhe një grua të integruar!” mblodhi zonja demokrate të Vlorës, por edhe nga mbarë Shqipëria.

Ishin të pranishme në promovimin e këtij libri me vlera të rëndësishme dokumentuese e historike, znj. Liri Berisha, kryetare e LDG, deputetja Albana Vokshi, aktorja e njohur, ish deputetja e PD, znj. Rajmonda Bulku e dhjetëra zonja demokrate n ga Tirana, Fieri, Berati, Gjakova, etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse znj. Liri Berisha ka falenderuar zonjën Vranari për veprën e saj letrare dhe në veçanti për librin “Lidhja Demokratike e Gruas Vlorë” dhe ka vlerësuar faktin që në “LDG Vlorë kanë kontribuuar ndër vite zonja të nderuara e me vlera, por edhe faktin që një libër i tillë është risi, pasi sjell në vëmendje figurat e ndritura të kombit dhe historinë e tyre që është historia e PD dhe e Shqipërisë.”

Zonja Vokshi ka shprehur kënaqësinë për praninë në këtë promovim dhe aktivitet të 30 vjetorit të LDG Vlorë, duke shprehur dëshirën dhe urimin që të gjitha degët e LGD nëpër rrethe të kenë nga një libër të tillë për historinë e tyre.

Kryetarja e LDG Vlorë, Alta Haluci ka shprehur krenarinë për trashëgimninë e PD dhe kontributin e zonjave demokrate të Vlorës.

Në fjalën e saj autorja e librit, Vilhelme Vranari Haxhiraj, e cila ka qenë themeluese dhe kryetare e parë e LDG- dega Vlorë, 1991- 1998, si dhe anëtare e Kryesisë së LDG të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ka bërë një përmbledhje të shkurtër të historikut të krijimit të LDG Vlorë dhe ka evokuar figurën e të gjitha zonjave demokrate ndër vite, duke përkujtuar me veneracion të gjitha zonjat, të cilat nuk jetojnë më.

Në takim folën e përshëndetën shumë zonja të pranishme, intelektuale e drejtuese të LDG Vlorë ndër vite.

Në këtë ditëlindje të 30-të të LDG Vlorë gjej rastin të përshëndes të gjitha zonjat demokrate të Vlorës, pa të cilat demokracia nuk do të ishte e plotë, ndërsa zonjës Vranari i uroj jetë të gjatë dhe krijimtari të pasur e të begatë.

About Redaksia

Check Also

Një vit nga ikja e “Sokratit Shqiptar”!

Nga Bujar LESKAJ Sot, datë 5 dhjetor 2024 bëhet 1 vit nga ndarja nga jeta …

Leave a Reply