Inceneratori i Fierit 3 vjet pa filluar punë, qeveria i ka dhënë Zotos 38 miliardë lekë

Miliarda lekë të taksave të shqiptarëve janë dhënë për inceneratorin e Klodian Zotos në Fier, por ky impiant ende nuk ka filluar punën. Afati për përfundimin e punimeve ka qenë para tre vitesh, por shtyrjen e justifikojnë si kryetari i Bashkisë së Fierit ashtu edhe Kryeministri Edi Rama, duke thënë se aktiviteti i impiantit të mbetjeve do të nis punën së shpejti. Janë 38 miliardë lekë, të cilat janë depozituar në llogari të kompanisë së klientit të qeverisë, Klodian Zoto.

SYRI TV

Ministria e Financave ishte e bindur se inceneratori i Fierit do të përfundonte ndërtimin dhe do të niste nga funksioni në 31 mars të vitit 2021. Por, kur ka kaluar gati një vit nga ky afat, djegësi i mbeturinave për Qarkun e Fierit nuk ka nisur ende nga funksioni.

Një grup deputetësh të Parlamentit Shqiptar konstatuan të martën se impianti i përpunimit të mbetjeve ende nuk ishte vendosur në funksion.

Përfaqësuesit e kompanisë koncensionare “Integrated Technology Ëaste Treatment, Fier”, deklaruan se inceneratori do të nisë punën së shpejti. Të njëjtën shprehje kanë thënë më herët edhe kryeministri Edi Rama e kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Por, situata në terren tregon se inceneratori i Fierit nuk ka nisur punën, megjithëse kanë kaluar 3 vjet nga afati i përcaktuar në kontratën koncensionare. Ministria e Financave, në një raport të publikuar në korrik të vitit të kaluar, deklaronte se punimet për inceneratorin e Fierit do të përfundonin në fund të Marsit 2021.

Kompania në pronësi absolute të biznesmenit Klodian Zoto, duhet të përfundonte ndërtimin e impiantit në tetor 2019. Por, për arsye të paqarta, në shtator 2020, Agjencia Kombëtare e Mbetjeve dhe kompania koncensionare nënshkruajnë marrëveshje për shtyrje afati deri në mars 2021.

Edhe ky afat rezulton të jetë shkelur, ndërkohë që kompania e Zotos ka marrë deri më tani mbi 38 miliardë lekë të vjetra nga Buxheti i Shtetit. Kontrata koncensionare është nënshkruar në vitin 2016 dhe vlera e investimit është 37 miliardë lekë të vjetra. Rezulton që Ministria e Financave ka paguar rreth 1 miliardë lekë më shumë deri në fund të vitit 2021. Kjo shumë sugjeron se shteti ka paguar të gjithë vlerën e investimit për ndërtimin e inceneratorit, si edhe për depozitimin e mbetjeve urbane.

Ndërkohë, kompania koncensionare e Zotos, megjithëse ka marrë të gjitha paratë, nuk ka vendosur në funksion djegësin.

About Redaksia

Check Also

Kokaina e Xibrakës, Bardhi: Ja si Olsi Rama përdorte makinën e trafikantëve të drogës

Kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi ka zbuluar detaje në emisionin “Opinion” lidhur …

Leave a Reply