I jepet lamtumira e fundit shkrimtarit Bardhyl Londo

Në ambientet e Kuvendit, janë zhvilluar këtë të shtunë homazhet për shkrimtarin e njohur shqiptar Bardhyl Londo, i cili u nda nga jeta dje në moshën 74-vjeçare.

Miq, kolegë, të njohur dhe të afërm të tij i kanë dhënë lamtumirën e fundit poetit të njohur dhe ish-deputetit shqiptar.

Bardhyl Londo ndërroi jetë dje në moshën 74-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Prej dy muajsh ishte i shtruar në spitalin Onkologjik në Tiranë. Gjatë 10 ditëve të fundit për shkak se situata e tij ishte përkeqësuar, është mbajtur në reanimacion, ku edhe dha frymën e fundit.

Bardhyl Londo ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të Fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas në gazetën letrare “Drita” ku për disa vite ka qënë edhe kryeredaktor i saj.

Për disa kohë ka qënë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijmtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.

Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi. Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai ka bërë shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike.

Poeti me pardesynë e bardhë dhe vështrimin e thellë është padyshim një nga figurat më interesante të letërsisë shqipe të pas viteve ‘80.

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply