Sekti dhe ‘opozita fasadë’ synojnë uzurpimin e pushtetit vendor përmes ‘reformës territoriale’

Nga Kastriot ISLAMI

Përmes reformës territoriale sekti kishte për qëllim kryesor kapjen e pushtetit vendor nga interesat e oligarkisë. Kështu Sekti krijoi “pashallëqet oligarkike”, përmes një reforme të njëanshme territorial duke e lënë jashtë opozitën. Synimi për “kapjen e pushtetit vendor” u maskua nga sekti me nevojën e reformës territoriale për të cilën ai deklaronte se e kishte “mirëkuptuar me SHBA e BE”?! Këtë radhë, sekti me “opozitën fasadë” po përpiqen të shesin reformën territoriale të deklaruar “të mirëkuptuar me SHBA e BE” duke mos ndryshuar asgjë në thelb sepse reforma s’do të jetë gjithëpërfshirëse…

Shqipëria ka aktualisht qeverisje qendrore e vendore që përfaqëson interesat e një sekti oligarkik. Për më tepër, sekti, përmes konsolidimit të qeverisjes oligarkike arriti i) kapjen e pushtetit vendor nga klientela e sektit; ii) sigurimin e pushtetit qendror dhe iii) vënien nën kontroll të gjyqësorit.

Për shumicën e shqiptarëve është e qartë se “qeverisja e sektit oligarkik”: i) blen votat, ii) komandon mandatet e të zgjedhurve, iii) vepron egërsisht për të dobësuar e përçarë, a kthyer në fasadë opozitën, iv) godet çdo kundërshtar e opinion ndryshe; v) keqpërdor medien për t’i mbyllur gojën apo “demaskuar” çdo kundërshtar dhe për të paraqitur si “suksese” dështimet e qeverisë; vi) kontrollon bizneset e mëdha; vii) kontrollon shoqërinë civile; dhe viii) së fundmi ka vendosur nën kontroll gjyqësorin për të mbrojtur nga çdo sulm eventual, sot e nesër, hajdutët e pasurisë dhe fondeve publike por edhe për të realizuar gjuetinë e shtrigave ndaj çdo kundërshtari.

Këtë radhë realiteti është më i hidhur se sekti oligarkik po përpiqet të fshehë synimet e tij përmes një teatri mediatik me “opozitën fasadë” duke pranuar gjoja kërkesën e saj për “reformën zgjedhore e territoriale”, pasi e futi atë në kurthin e deklaruar të “mirëkuptimit me SHBA e BE” për zgjatjen e mandateve të KLP e KLD…

Pasi sekti ka arritur me mekanizma antidemokratikë të përçajë opozitën duke kthyer një pjesë të saj në fasadë, po përpiqet të ri-mashtrojë qytetarët se me “mbështetjen e SHBA e BE” është gati për një reformë të re territoriale, por rindarja territoriale do të mbetet në thelb oligarkike, duke implikuar këtë radhë edhe “opozitën fasadë”, siç veproi pas 5 qershorit kur me “opozitën fasadë” të asaj kohe ndryshoi siç deshi vetë Kushtetutën e kodin zgjedhor, për të siguruar mandatin e tretë, duke e shitur këtë proces si “mbështetje të SHBA e BE”…

Rindarja territoriale, e kryer nga sekti dhe “opozita fasadë” do të jetë po ashtu e dështuar sepse ajo s’do të krijojë shërbime për interesat e qytetarëve, por do të jetë një “mekanizëm” që do t’i lehtësojë sektit e “opozitës fasadë” kapjen e pushtetit vendor. Për t’i hedhur sy qytetarëve, në një opsion tjetër, sekti mund t’i linte hapësira minimale edhe “opozitës fasadë” në pushtetin vendor, duke vënë në lëvizje në zgjedhje makinerinë korruptive të manipulimeve kundër opozitës reale. Ky plan do të dështojë këtë radhë e ka pak shanse për sukses…

Ndarja territoriale në fuqi është edhe diskriminuese, veçanërisht për veriun. Me “reformën e re”, ky diskriminim do të përforcohej. Për rrjedhojë, nëse sekti e “opozita fasadë” do të realizonin të vetme rindarjen territoriale të programuar prej tyre, atëherë destabiliteti e trazirat do të ishin të mundshme. Aq me tepër që sekti po kujdeset edhe këtë radhë të uzurpojë të gjithë pushtetin vendor në tavolinë, ndërkohë që synimi i tij minimalist do të ishte uzurpimi për vete i shumicës së bashkive dhe pjesës tjetër për “opozitën fasadë”. Një qasje e tillë do ta shpërthente kazanin që vlon e zor se do të mund të qetësohej këtë radhë me mashtrime e komprometime…

Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” duhet të jetë shumë i vëmendshëm në zgjedhjet e 6 marsit 2022, sepse sekti dhe “opozita fasadë” duket se kanë programuar ta përdorin këtë moment si “projekt pilot” për manipulime me synimin diabolik për të nxjerrë në të 6 bashkitë kandidatët e opozitës reale në vendin e tretë; rezultat që asnjë votues i ndershëm s’do ta besonte…

About Redaksia

Check Also

Reportazhi i RAI3 – prova e pakontestueshme se Shqipëria drejtohet nga një kryemafioz?

Enver Bytyçi Prej vitesh shkruaj në reagim të politikave të brendshme dhe sidomos lidhur me …

Leave a Reply