Lideri historik i PD, Sali Berisha, ka dalë sot në një konferencë për shtyp në sallën e konferencave në Hotel Adriatik në Durrës për të denoncuar qëndrimin e Beogradit ndaj Rusisë dhe agresionit rus në Ukrainë, si një qëndrim që përbën një kërcënim dhe rrezik për paqen në Ballkanin Perëndimor.
“Serbia, historikisht e njohur si Rusia e Vogël, nuk e ka dënuar agresionin barbar rus ndaj Ukrainës. Ajo nuk votoi në Këshillin e Ministrave të këshillit të Evropës për pezullimin e Rusisë nga ky institucion.
Serbia nuk ju bashkua vendeve perëndimore, nuk vendosi sanksione. Serbia ‘de facto’ është e rreshtuar në anën e Rusisë.
Do të theksojmë këtu se ky qëndrim i Serbisë përbën një ndarje të qartë, përfundimtare, politike, të këtij vendi nga rrjedhje e përgjithshme euroatlantike dhe në çdo rrethanë ajo është një aleat potencial për veprime destabilizuese në rajon”, tha Berisha në nisje të konferencës për mediat.