Berisha thirrje deputetëve që braktisën Bashën: Bashkohuni me opozitën e vërtetë!

Lideri historik i PD, Sali Berisha u bëri thirrje deputetëve që po braktisin masivisht Lulzim Bashën, që të bashkohen me opozitën e vërtetë.

“Kam ndjekur zhvillimet brenda selisë së Lul Bravës dhe bunkerit të blinduar. Vlerësoj dhe përshëndes qëndrimet e deputetëve të PD, të cilët sapo konstatuan me fakte nga qëndrimi i elektoratit shqiptar, se Brava-opozita nuk është një opozitë, por është false, shprehën qëndrimet e tyre të drejta. Unë i ftoj ata të bashkohen me elektoratin e tyre. Të bashkohen me PD, të kontribuojnë në konsolidimin e saj. I garantoj plotësisht se ligji i pandryshueshëm i këtij bashkimi është dhe mbetet vota e lirë,” tha Berisha.

I pyetur se a duhen amnistuar këta deputetë, Berisha tha: “Në politikë, jashtë teorisë së gabimit nuk del askush, por e rëndësishme është që mbi bazë zhvillimesh, faktesh dhe dokumentesh që të korrigjosh gabimet dhe qëndrimet. Zgjedhjet nuk ishin më një debat brendapartiak, nuk ishin më një votim brendapartiak. Zgjedhjet ishin në nivel elektoral. Kështu që çdo deputet ka jo të drejtën, por ka detyrën themelore të lexojë mesazhin e zgjedhësve dhe të marrë vendimin që i takon. Së dyti, shtoj se në politikë secili ka kontributin dhe investimin e tij. Askush nuk ka të drejtë t’i mohojë tjetrit vendimin për t’u rikthyer te investimi që ka bërë në vite. Me këto parime ecën PD: Më e bashkuar, më e fortë dhe më e hapur se kurrë”, tha Berisha.

Ndërkohë pyetjes se a duhet një kongres pajtimi, Berisha iu përgjigj: Jam i gatshëm për çdo propozim që vendos në epiqendër votën e lirë. “Mund të them se se dëgjon debate dhe analistë që flasin për çdo gjë, por jo për votën. U them shqiptarëve se gjithçka ka ndodhur në kundërshtim me interesat e tyre këto vite, bllokimi i integrimit, largimi masiv i shqiptarëve nga Shqipëria, rritja e varfërisë ekstreme, rritja e varfërisë në tërësi, rritja e çmimeve dhe mosrritja e rrogave, kanë një emërues të përbashkët: dhunimin e votës së tyre.

Ndaj bëj thirrje jo vetëm për demokratët, por për çdo shqiptar, që të kthejnë në vëmendjen e tyre të plotë, votën e lirë. Vota e lirë është dinjitet, është zemreku i lirisë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply