Rritja e çmimeve, Berisha paralajmëron Ramën: Nëse nuk merr masa, opozita do të dalë në protesta

Ish-Kryeministri Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp në lidhje me krizën e rëndë ekonomike në vend. Berisha paralajmëroi se, nëse qeveria nuk merr masa, atëherë opozita do të dalë në protesta.

“Nuk mund të mohohet se Europa është në luftë dhe hijet e saj detyrimisht qëndrojnë ose përhapen në mbarë kontinentin, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Por në këtë luftë, krahas armikut kryesor që janë hordhitë barbare ruse që po kryejnë çdo orë dhe çdo ditë krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainën e lirë dhe të pavarur, hordhitë e dyta jo vetëm në Ukrainë tashmë, por në mbarë Europën, janë spekulantët që duan të pasurohen si shushunja nga lufta.

Në këtë kontekst, është në detyrën më parësore të qeverive të vendeve evropiane të luftojnë me vendosmëri spekulimin dhe spekulantët. Kohë përpara se të fillonte kjo luftë në Ukrainë, të gjithë vendet e BE, kanë marrë një seri masash me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga spekulimi. Sot Shqipëria ka çmimet më të larta në Europë përsa i përket naftës dhe gazit, ndonëse është një vend prodhues i naftës në sasi të konsiderueshme, megjithatë shqiptarët paguajnë naftën rreth dy euro në treg, çmim më i larti i regjistruar sot në Evropë, pavarësisht se rrogat e tyre janë të paktën 10 herë më të ulëta se në Zvicër, Gjermani apo Austri.

Ky çmim stratosferik i naftës sot në bursë është 125 dollarë për fuçi, nuk ka ekzistuar në vitin 2008, kur fuçia e naftës në bursë ishte nga 150 deri në 200 dollarë. Ky çmim tërësisht i papërballueshëm është rezultat i një seri taksash të vendosura me arbitraritet dhe kundër logjikës fiskale.

E rëndë është fatura e energjisë elektrike që paguajnë sot qytetarët dhe bizneset. Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon me urgjencë heqjen e plotë të TVSH-së nga nafta, heqjen e plotë të TVSH-së të energjisë elektrike.

Së dyti, PD kërkon rimbursim apo një bonus për të gjitha familjet në nevojë, shtesë që të përballojë krizën energjetike.

Së treti, kërkon heqjen e taksës së qarkullimit prej 270 lekësh dhe me këto lëvizje, çmimet e naftës duhet të zbresin në nivelet e vendeve përreth. Por meqenëse Edi Ramës i pëlqen të shfrytëzojë situatën e luftës para se t’u thotë shqiptarëve se do shihni male me kufoma, duhet para së gjithash të marrë këto masa.

Në rast se spekulimi vazhdon, ndërhyrja direkt në tregun e karburanteve mbetet si masa e fundit që nuk mund të përjashtohet për shkak të luftës.

E konsideroj të papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë ndaj kësaj krize, jo vetëm pse po mbjell terror me hijet e luftës, por ai në mënyrën më të paimagjinueshme po bën zëdhënësin e kompanive të naftës. Ai është lajmëtari i parë i rritjes së çmimeve dhe pastaj spekulantët vazhdojnë të vendosin tabelat siç duan. Dje ai njoftoi për rritjen e çmimeve dhe pompat me shpejtësi i kaluan në 260 çmimet. Kjo është unike në botë, kreu i qeverisë nuk bën zëdhënësin e kompanive të naftës, nëse nuk ka aksione në këto kompani. Edhe njëherë bëj thirrje të merren masa urgjente për mbrojtjen e popullatës, përndryshe opozita shqiptare do jetë në rrugë”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Skandali/Në BKH është dorëzuar denoncimi me foton e Olsi Ramës tek “Xibraka”, por nuk është hetuar

Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar gjatë ditës së sotme për deklaratat e kreut …

Leave a Reply