Grupi parlamentar i PD po mbledh firmat për t’i kërkuar zyrtarisht dorëheqjen Lulzim Bashës. Lëvizja e deputetëve erdhi pas humbjes shkatërruese të kandidatëve të Bashës në zgjedhjet e 6 marsit.
Përveç 6-7 deputetëve, e gjithë pjesa tjetër e grupit parlamentar është kundër Lulzim Bashës dhe i kërkojnë atij me insistim dorëheqjen.
Deputetët kanë nisur mbledhjen e firmave për t’i kërkuar zyrtarisht dorëheqjen Bashës.
I iniciuar nga deputeti Tomor Alizoti, ky dokument tashmë po qarkullon mes deputetëve, të cilët disa ditë më parë i kërkuan përballë dorëheqjen kryedemokratit.
Mësohet se dokumenti është firmosur nga disa prej ligjvënësve demokratë.
Mbledhja e firmave do të vijojë deri të shtunën në mesditë, ku deputetët pritet t’ia dorëzojnë në mbledhjen që ka njoftuar Lulzim Basha.
Por Ervin Salianji dhe Grida Duma kanë shkuar edhe më tej, duke hedhur idenë e firmosjes për përjashtimin nga grupi parlamentar të kreut të PD, megjithatë, përjashtimi duket ende një dëshirë e izoluar mes deputetëve të zhgënjyer.
Zërat mes grupit parlamentar që kanë kërkuar dorëheqjen e Bashës pas humbjes së zgjedhjeve të 6 marsit janë shtuar.
Janë të paktën 33 deputetë të PD që i kanë kërkuar zyrtarisht dorëheqjen Bashës.
Ndërkohë, Basha ka në krah një grup të vogël deputetësh, jo më shumë se 6-7 prej tyre, si dhe kandidatët humbës të 6 marsit.
Lulzim Basha pranoi humbjen një ditë më parë, por tha se marrja e përgjegjësive do të bëhet pasi një procesi analize.