Lideri historik i PD, Sali Berisha ka hedhur poshtë zërat se ai qëndron në krye të protestave për rritjen e çmimeve.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se, po punon për bashkimin e PD dhe nuk po merret me protestat, edhe pse i mbështet ato.
“Nuk po i organizoj unë protestat. Unë i mbështes fuqimisht protestat. Po t’i organizoja, më keni në ballë. Po merrem me intensitet të madh për bashkimin e PD”, ka thënë Berisha.
Kurse në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, ish-Kryeministri Sali Berisha denoncoi se po shkelet embargoja ndaj Rusisë.
“Dy janë shkeljet më të rënda të Kuvendit, që refuzon debatin për krizën e rëndë që ka pllakosur qytetarët dhe jo zyrtarët. Dëshmi e një arrogance të pakufishme, e përdorimit të gënjeshtrave ndaj qytetarëve në protestë. U serviren faturat e furrave të bukës sikur janë familje nga Italia. Shprehen me urrejtje se janë pakicë.
Kërkoj rezolutën se po shkelni embargon, po shkarkoni anije ruse, kur bota shpall Putinin kriminel lufte, ju mashtroni. Fusni rezolutën. Për ju s’ka krizë, s’ka kufizime, ka vetëm vullnet e dëshira. Ju nuk e latë të futet në rend dite”, u shpreh Berisha.