Deputeti Edmond Spaho ia ka përplasur akuzat në fytyrë, Ministres së Energjitikës Belinda Ballukun, këshillën cinike të saj drejtuar qytetarëve në vend që të kursejnë naftën duke mos shkuar në dyqan me makinë. Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti Edmond Spaho i bëri thirrje haptazi, Ballukut “mos vidh” duke i kujtuar energjinë elektrike dhe abuzimet me naftën, zhvatjen e qytetarëve me taksën e qarkullimit etj.:
“Mos i paraqisni masat sikur janë në favor të qytetarëve, – tha Spaho.- Edhe atë që thoni për energjinë elektrike, e keni në Buxhet të parashikuar. Dhe mos harroni, një pjesë e energjisë elektrike shpërdorohet. E shisni me gjysmën e çmimit në korrik dhe në gusht dhe e blini me trefish dhe katërfish. Pse?! Se i menaxhon keq rezervat ujore që ke atje”.
Pas këtyre fjalëve, ministrja Balluku ka kërcyer nga vendi për të kundërshtuar Spahon, por profesori i njohur nuk e ka lejuar dhe ka vazhduar duke theksuar:
“Kur të të vijë radha, eja këtu. Jo! Mos shko të vjedhësh! Mos shko të vjedhësh! E shisni lirë dhe e blini shtrenjtë energjinë elektrike. Ja kjo është!
Atëherë çfarë duhet bërë? Duhet hequr akciza nga karburanti dhe (i drejtohet Nikollës) më shtoni minutat, zonja kryetare, se u desh të bëja replikë me atë që u thotë qytetarëve “mos shkoni të blini bukë me makinë!”
Unë eci në këmbë dhe eci shumë, por e mira është që ju si qeveri të dilni në rrugë dhe të shikoni qytetarët. Atë të bësh! Të dalësh në rrugë dhe të shikosh qytetarët, jo të thuash “unë ec me makinë se e kam për detyrë se jam ministre!”.
Duhet hequr akciza për taksën e qarkullimit. E paguajmë dy herë. Njëherë kur shkojmë atje tek Kontrolli i automjeteve dhe doni të shikoni, ja ku e kam taksën këtu, 370 mijë lekë, ta jap dhe kopjen dhe e paguajmë edhe tek akciza e karburantit.
Më thuaj, kur është hequr taksa e qarkullimit?! Më jep vendimin e qeverisë, më jep ligjin e miratuar nga parlamenti. Në cilën kohë të dhjetë viteve tuaja në qeverisje është hequr kjo?! Gënjeni! Dy herë e paguajmë! Jemi i vetmi vend që e paguajmë taksën dy herë.
Të rimbursohen me lekë në dorë të gjitha familjet shqiptare, për të gjithë masën e rritjes së çmimeve.
Të vendosen tavan për çmimet!”, pas kësaj Spaho nuk mundi të vazhdojë më sepse Lindita Nikolla i mbylli mikrofonin edhe atij.