Poezia e dhimbjes njerëzore në pesë libra të Demir Rusit

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Katër librat me poezi të Demir Rusit: “Ura e fjalës”;  “Mos ik të lutem”; “Anja”; “Mos perëndo o dielli im” dhe  libri me tregime e rrëfime “Djali që bleu vdekjen” janë promovuar bujshëm dhe mirëpritur nga lexuesi

Artistja e Popullit Margarita Xhepa, Presidente Nderi e Shoqatës Kulturore  “Jehona Shqiptare” i jep çmimin e parë për poezinë “Sa shpejt ikin vitet”

Nga libri i parë “Djali që bleu vdekjen”, tek i dyti “Ura e fjalës”, si dhe në tre vëllime me poezi të botuara në harkun kohor të dhjetë viteve të fundit,  poeti e publicisti Demir Rusi, identifikohet si poeti i dhimbjes njerëzore

Nëse në librin e parë me titullin sinjifikativ “Djali që bleu vdekjen”, sipas recensentit Namik Selmani, “Mbetet në gjithë sipërfaqen shkronjore dhimbja, mbetet drama, mbeten viktimat dhe fajtorët e një tragjedie që quhet kurbet i paligjshëm. Mbetet emocioni i rrëfimit…”, në vëllimet me poezi “Ura e fjalës”;  “Mos ik të lutem”; “Anja”; “Mos perëndo o dielli im”  është trashëgimia e bukur që mund të gjesh në gjuhën shqipe”.  Duke lexuar poezitë e këtyre vçllimeve nuk është e vështirë të konstatosh krijimtarinë produktive e cilësore të këtij autori, duke evidentuar kulturën e lartë gjuhësore, në ditaret, përshkrimet e poezitë e tij. Profilin e tij të e veçantë krijues D.Rusi e shpërfaq sidomos në poezitë që përçojnë plagët e rënda sociale që perjeton shoqëria e sotme.

Kështu nëse kriza globale e shkaktuar pas agresionit rus në Ukrainë reflektohet në vargjet e tij: “Kriza tek ne, për fajin tonë/ Mirë ta ndreqim sa nuk është vonë/Kriza për naftën s’mund të besohet/Nëntoka jonë me naftë mbulohet…”, kur vjen puna tek shkaktari i saj, vargjet e tij kanë nota të theksuara revolte: Si nuk i mbaruam hallet njerzimit/ Mangut kishim dhe këto të Putinit/ Fashist i ndyrë, xhelat i pashpirt/Vret e pret dhe gratë e fëmijët”.

Po ashtu pas vëzhgimit e investigimit të realitetit të trishtë, të krijuar nga veprimtaria e krimit të organizuar, fjala poetike e D.Rusit është alarmuese: “Paksa te SPAK-u njerzit shpresojnë/ Po të vakët duken e spo veprojnë/Ata që ishin, po ato janë/ Veç po shtyjnë kohçn e gja s’po bajnë..”

Vargje revolte krijon poeti edhe në poezinë  “Mëkatarin, mëkati ndjek”: “ Dëgjuar e kam e s’e mbaj mend/ Madje dhe lexuar në ndonjë vend/ “Shemben malet ngritën halet”/ Ndaj e keqja nuk po ndalet…/ Se nga vijnë këto të këqija/Topi mbetet tek qeveria/Bëhen zgjedhje ndërron partia/ Hiqen të aftët vjen hajnia!!!”

Poezia e Demir Rusit është poezi që recitohet, madje që interpretohet me ndjenjë, siç e ka inpertretuar atë Artistja e Popullit dhe Nderi i Kombit Margarita Xhepa në promovimin e librave të tij. Nga katër vëllimet e tij të promovuara njëherazi mund të përzgjedhësh si të tilla poezitë e    titulluara:  “Shteti vret”,  “ Se ke hall askush s’ta var”, “Paraja dihet se të ngroh xhepin”; “ Helmi”; Pse bën keq o njeri”; “Mos luaj me punën” ; Karrikja ime”; “Skizofrenia” e “Vitet nëpër libra”. Madje nuk qe rastësi që në takimin jubilar të 15-vjetorit të krijimti të Shoqatës Kulturore “Jehona Shqiptare”, poeti Demir Rusi të nderohej me çmimin e parë të Konkursit ndërkombëtar të shpallur nga kjo shoqatë për poezinë më të mirë, ku si e tillë u vlerësua poezia e D.Rusit “Sa shpejt ikin vitet”, çmim që iu dorëzua nga Presidentja e Nderit e kësaj Shoqate, ikona e teatrit e kinematografise Margarita Xhepa – Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit.

Nëse lexon poezinë e autorit Demir Rusit nuk ke nevojë të vërtitesh rreth qëllimit për të cilin shkruan autori. Poezia e tij e nxjerr prej dhimbjes njerëzore është si mushti.

Por nga libri “Mos Perendo o Dielli im” mund të veçojmë edhe poezinë me titull: “Epitaf për vehten”, kur poeti shprehet në vargje se “nuk do t’ia shkruajnë të tjerët epitafin e pasvdekjes...”

Le të ndalemi së fundi tek libri i tij i parë me tregime e rrëfime “Djali që bleu vdekjen”, një botim produktiv dhe cilësor ku rrëfehet intelektuali që përjetoi strese të fuqishëm shkatërrues, por që nuk u tundua nga grishja për veprime aventurore në fushën e kontrabandës mafioze…. Në këtë libër rrëfehet intelektuali i mirëfilltë që kishte shërbyer me devotshmëri si oficer dhe si    publicist ushtarak e si kryeredaktor i gazetës “Minatori”, të cilin koha e gjykoi së mbrapshti, duke e dëbuar nga puna me motive krejt absurde dhe pa asnjë mbështetje, as juridike dhe as logjike. Duke përshkruar si askush tjetër emigranët që i janë lënë rastësisë, të jetojnë ku të mundin e si të mundin, të fituar apo të humbur, të gjallë apo të vdekur, pa një mbrojtje juridike siç e kërkojnë Kartat Ndërkombëtare, D.Rusi shpreh njëherazi dhimbjen për djemtë e mbetur deteve, kufomëprishur, ushqim për peshqit!. Ndjeshmëria e mërgimtarit shprehet qartësisht sidomos në rrëfimin për hollësitë e asaj nate pus të zezë në Grykën e Otrantos. Në librin “Djali që bleu vdekjen”, (si edhe në vëllimin poetik) autori dallohet dhe për gjuhën e pasur në përshkrimin e personazheve dhe sidomos të miqësisë së tij me profesorin e nderuar italian, Xhovani Karbone. Pikërisht kur shpreh admirimin, respektin e mirënjohjen për këtë personalitet të shquar italian, teksa ai e takon me një nga miqtë e tij që kishte shërbyer në Shqipëri gjatë luftës së lavdishme nacionalçlirimtare, evidenton edhe kontributin e partizanëve të batalionit “Antonio Gramshi” dhe veçanërisht heroizmin e Tercilio Kardinalit. Dashuri të pakufishme shpreh autori sidomos për nënat që janë njësoj në gjithë botën, që një emër dhe një zemër kanë. Duke lexuar me vëmendje librin e D.Rusit “Djali që bleu vdekjen”, edhe më pesimisti gjen forca për t’u bërë optimist, pasi përvoja e tij jetësore na mëson se “njeriu duhet të bëhet i fortë dhe t’u bëjë sfidë vështirësive që i dalin përpara; duhet të jetë optimist nëse dëshiron t’i mposhtë pengesat…Edhe kur është keq, njeriu nuk duhet t’i nënshtrohet së keqes….”. Ndërkohë autori është mjaftë bindës në konkluzionin për ekzistencën e të gjitha mundësive që Italia dhe Shqipëria të kthehen në simbole të vërteta miqësie e solidariteti. Kësisoj Demir Rusi prezantohet si vëzhgues i mprehtë i realitetit shqiptar dhe atij italian.

About Redaksia

Check Also

Dy zemra në një sigurim! Dhurata origjinale për Shën Valentin

Për këtë Shën Valentin, Sigal sjell një ofertë të veçantë për dashurinë tuaj: Bli një …

Leave a Reply