Deputeti i PD, Luçiano Boçi shprehet se kryeministri Edi Rama do të tentojë të kapë edhe institucionin e fundit pa rënë në duart e tij, Presidencën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Boçi shkruan se, Rama nuk do të ketë mbështetjen e opozitës.
Vendimet e PD, thotë Boçi, do të jenë kolegjiale dhe askush nuk ka të drejtë të përcaktojë individualisht mënyrat dhe rrugët e reagimit të Partisë Demokratike.
Deklarata
Çështja e zgjedhjes së Presidentit është një çështje thelbësore e shtetit dhe e marrëdhënieve politike midis mazhorancës e opozitës.
Rama mund ta zgjedhë e ta uzurpojë me votat e tij institucionin e fundit të pa rënë në duart e tij, por ai s’mund të ketë mbështetjen e opozitës as dhe t’i shmanget kundërshtisë politike në opinion nga opozita, nëpërmjet gjoja “axhendave parlamentare”.
Askush nuk ka të drejtë të parapërcaktojë individualisht, pavarësisht pozicionit, mënyrat dhe rrugët e reagimit të Partisë Demokratike.
Çdo vendimarrje duhet të jetë kolegjiale.
Së pari ajo i nështrohet diskutimit në Kryesinë e Grupit parlamentar.
Çdo qëndrim apo deklaratë jashtë kësaj vendimmarrje, është krejtësisht individuale dhe si e tillë e pa vlerë.