Koçi Petriti, Akt-Ekspertiza letrare për poezinë “Saharaja” të Vilson Blloshmit

Nga Bedri BLLOSHMI

Po e publikoj edhe një herë Akt-Ekspertizën e bashkëpunëtorit të Sigurimit, Koçi Petriti për ata që e marrin në mbrojtje. Le të shikojnë këtë fotografi të Koçit dalë në Komitetin e Partisë Librazhd dhe të lexojnë Akt-Ekspertimin Letrar për poezinë “Saharaja” të Vilson Blloshmit.

Akt-Ekspertimi Letrar

Është vjershë hermetike d.m.th e errët nga përmbajtja dhe figuracioni. Është vjershë simbolike dhe vende-vende kalon në alegori (domethënë flet për një gjë dhe kërkon të aludojë për diçka tjetër). Në këtë alegori fshihet një mendim tjetër.

Vjersha hermetike është rezultat i ndikimeve të rrymave letrare dekadente si simbolizmi. Manifestime të figuracionit të errët i kritikoi Plenumi i IV i KQ. Shoku Enver Hoxha në këtë Plenum, midis të tjerave tha: “Në poezi është shfaqur prirja e përdorimit të një figuracioni të errët, në kundërshtim me traditën e poezisë aq të qartë shqipe. Disa të paktë poetë të rinj filluan të adaptonin në poezitë e tyre hermetizmin. Kjo është farë e huaj për letërsinë tonë”. (Raport në Pl. IV, fq 20)

Cili është kuptimi i kësaj vjershe hermetike dhe simbolike? Për të kuptuar këtë duhet qartësuar se çfarë kuptimi ka simboli “Sahara” dhe simboli “natë”.

Vjersha në fjalë nuk është një peizazh i thjeshtë, d.m.th, përshkrim mbi shkretëtirën e Saharasë Afrikane. Po të qe kështu ajo do të kishte detaje të një shkretëtire, ndërsa këtu përmendet vetëm emri dhe rëra.

Së dyti, kuptimin direkt të kësaj shkretëtire me një hapësirë shumë të madhe e ngushton vargu “Saharaja është një copë tokë”.

Së treti dhe më e rëndësishmja është se nuk ka kuptim që njeriu të shkruajë një vjershë për një vend që nuk e njeh, që është jashtë sferës së vëzhgimit të tij. Ky interesim gjeografik, në qoftë se do të supozohej se do të ishte kështu, apo do të pretendohej, është gjithashtu absurd, është pa lidhje.

Së katërti, po të ishte ky thjesht një peizazh, atëherë në vjershë nuk do të gjente vend mendimi se kjo shkretëtirë ngrihet si një mallkim, i krijuar prej njerëzimit. Në vjershë del mendimi se ky njerëzim e thërret kujtimin e shkretëtirës kur urren e mallkon. Kjo ka lidhje me atë mallkim që një njeri ia drejton një tjetri, apo një vendi, apo botës duke u shprehur: U shkretofsh! U bëfsh si shkretëtira!

Pra, vjersha po të ishte peizazh do të dilte si pjellë e natyrës dhe jo si pjellë e njerëzimit e shoqërisë njerëzore. Simbolikën e vjershës e kuptojmë deri në një farë shkalle, po të kemi parasysh pozitën e vetë autorit të saj. Çfarë qëndrimi mban ai ndaj realitetit tonë socialist? Me çfarë syri e sheh ai jetën tonë? Pakënaqësia ndaj këtij realiteti e bën atë të shpreh mendime dhe ndjenja regresive, nihiliste.

Simboli “Sahara” është në adresë të një vendi të caktuar, përveç shkretëtirës së vërtetë të Saharasë. Atëherë cili mbetet të jetë ky vend, që në vjershë del pa miq e shokë, pa bij e bija? Simboli “Sahara” është sqaruar deri në një far mase me vargun “Saharaja është një copë tokë”, si dhe me detajet “Shkëmb e gurë” dhe nata këtu gjen veç gurë për shtrojë”.

Po kështu edhe në vargun “Saharaja e mban vesh e qesh etj.” kur ai “për keq e mban në gojë” Këtu, “ai”, mbase është fjala për njerëzimin, apo për ata “miqtë e shokët” që Saharaja nuk i ka. Aludimi më i afërt, pra është për një vend të vogël, një copë tokë që është në konflikt edhe me “miqtë e shokët” që nuk i ka dhe me “natën”, me të cilën nuk shkon mirë.

Nga fryma e përgjithshme e vjershës, për autorin “kjo copë tokë” pa miq e shokë, është shkretëtirë, e rrethuar nga armiqësia dhe mallkimi, e si një plagë mbi shpinë të rruzullit, ajo i shërben njerëzimit si mallkim që del në momente urrejtjeje. Kjo copë tokë nuk shkon mirë as me natën. Po cila është kjo natë? Çfarë simbolizon ajo? Që nata këtu është një simbol, kjo duket nga detajet: “nata nuk shkon mirë me shkretëtirën”, natës nuk i pëlqen të ketë veç “gur për shtroje”, “perçja e saj e zezë nuk ka ç’të mbulojë”, sepse në shkretëtirë që “është një copë tokë”, “fjalë e dashuri e njerëz nuk ka”, “nuk ka as lot të qajë” “as këngë të këndojë”, “nuk di të ëndërrojë kjo copë tokë” etj. Kështu pra, kësaj cope toke i mbetka vetëm mallkimi, që e thërret nga skuta kujtimi i dehur.

Ideja e vetmisë, e shkretëtirës, përsëritet gjatë gjithë vjershës dhe mbyll edhe fundin e saj “Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë”. Po le të kthehemi te simboli “natë” që është në konflikt me simbolin “shkretëtirë”. Shkretëtira, siç thotë vjersha, ka dy lloj forcash me të cilat nuk shkon mirë: me shokët dhe miqtë që nuk ka dhe me natën. Këtu nata qenka jashtë sferës së shokëve dhe të miqve që “shkretëtira” nuk i ka. Domethënë “nata është një forcë brenda sferës së “Saharasë” dhe, konkretisht, mbi të si perçe e zezë, po që nuk ka se ç’të mbulojë. Simboli “natë” është mjaft i pakuptueshëm. Po të jetë “nata” një forcë që e simpatizon autori, ajo duhej të ishte në rrethin e “miqve dhe shokëve” që nuk i ka kjo “copë tokë”. Atëherë mbetet të jetë një simbol i një force që nuk e do as autori, që për atë është natë. Çfarë mund t’i duket natë në realitetin tonë autorit? Në qoftë se simbolet i qëndrojnë këtij interpretimi, në vjershë aludohet (bëhet fjalë në mënyrë alegorike, të tërthortë) për këtë “copë tokë” të shkretuar, të braktisur, të vetmuar, ku sipas autorit jeta qenka shkretëtirë. Aty nuk ndërtohet asgjë. Bile kjo “copë tokë”, ndieka kënaqësinë (fillon të gëzojë) kur e përdorkan si mallkim. Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve, simbolika e bën atë me një alegori, e cila e bën me një përmbajtje reaksionare. Vjersha ka edhe mjaft vargje pa kuptim, të errët e kontradiktorë, që në fakt shprehin çoroditje, pakënaqësi nga realiteti ynë dhe frikë për të mos e thënë direkt mendimin. Nuk e besoj që vjersha të ketë interpretim jashtë simbolit dhe alegorisë që përdor. Por simbolin ajo e ka vende-vende të pakuptueshëm dhe manovrues.

Librazhd, 20.I.1977

Eksperti letrar

Koçi Petriti

Foto: I pari, nga e majta në të djathtë është Koçi Petriti në Komitetin Partisë, Librazhd

About Redaksia

Check Also

Dy nga vendimet e para të Trump; spastrim i administratës, kartelet e drogës do shpallen terroristë

Një nga vendimet e para që Trump pritet të nënshkrojë nesër menjëherë pas inaugurimit të …

Leave a Reply