Deputeti demokrat, Flamur Noka, foli në emisionin ‘A Show’ në Syri Tv për situatën në Partinë Demokratike. Për deklaratat e ambasadores Yuri Kim, e cila tha se, Alibeaj është kryetar i PD, Noka u shpreh se ajo është e shqetësuar dhe nuk e ka pritur rezultatin e Berishës në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Flamur Noka theksoi se, Kim ka shkelmuar vendimin e drejtësisë ndërsa shtoi se ajo ka shkelur konventën e Vjenës dhe ka bërë një sjellje të rëndë për një diplomate.
“6 marsi ishte mesazh i qartë për Yuri Kim. Për fat të keq Yuri Kim ka shkelmuar konventën e Vjenës dhe këtë e ka bërë vazhdimisht në 7 muaj. Me disa deklarata ka shkelmuar ligjet e vendit tonë dhe ka ndërhyrë në punët e brendshme të PD-së. Sjellje e rëndë për një diplomat.
I dha shkelm drejtësisë duke tentuar të njohë vendimet e Gaz bardhit për kryetar, i cili është i shkarkuar për vete”, u shpreh Noka.
Ndër të tjera Noka tha se i vjen keq që një ambasadore e SHBA, merr rrogën e taksapaguesve amerikanë por i shërben më shumë George Soros.
“Lobimet e Soros janë të forta në SHBA. Lobimi i tij është për të përçarë opozitën. Më vjen keq kur shoh Yuri Kim të SHBA, të atyre shteteve që i kemi idhull në rrugën e lirive dhe demokracisë, shohim që marrin rrogën e taksapaguesve amerikanë por i shërben më shumë George Soros”, tha Noka.