Zv/kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Luçiano Boçi ka raguar në lidhje me platformën e paraqitur nga Enkelejd Alibeaj, se sipas tij duhet të ndërpriten zgjedhjet e nisura brenda strukturave.
Në postimin e tij në Facebook, Boçi e ka quajtur një platformë individuale e cila edhe sikur e pikuar nga qielli të jetë, sjell vetëm dasi dhe përçarje.
Postimi i plotë i Luçiano Boçit
PLATFORMË ME KONSPEKT
Platformat individuale që nuk kanë miratimin e Kryesisë së Grupit Parlamentar e të vetë Grupit Parlamentar edhe sikur të pikuara nga qielli të jenë, sjellin vetëm dasi e përçarje.
Integriteti i Grupit Parlamentar, i dëshmuar në mbledhjen e tij, nuk mund të shpërdorohet e të keqpërdoret duke hedhur si konsum mediatik e publik, në formën e konspekteve, ato mendime të shkëputura që i shkojnë për shtat vetëm hartuesve të platformës.
Bashkimi është një proces politik nëpërmjet votës së lirë që ka nisur e po vazhdon e do të jetë gjithëpërfshirës.
Respektimi i tij është akt bashkimi.
Bashkimi nuk mund të bëhet as me platforma individuale e as me konspekte e nënvizime fjalësh pa kontekst, të shitura si kolegjiale, pa kaluar në asnjë vendimmarrje.