Nga Bujar LESKAJ
Të katër kandidatëve për kryetar të degës, u uroj suksese në këtë proces të vështirë, por të domosdoshëm të riorganizimit që nga themeli të Partisë Demokratike. Natyrisht njëri do të zgjidhet, por realisht fiton procesi.
Nesër demokratët e Vlorës do të shprehen me votën e tyre të lirë, e cila duke qenë në themel dhe në ADN-në e Partisë Demokratike, përcjell mesazhin e bashkimit dhe përfaqëson fitoren e demokracisë.
Kryetari i ri i degës së PD Vlorë duhet që nga e nesërmja e zgjedhjes së tij të ndërmarrë hapa konkrete për bashkimin e demokratëve dhe, mbi të gjitha, duhet të tregojë me akte konkrete, që Partia Demokratike, nuk ka të tepërt asnjë anëtar të saj, asnjë demokrat, asnjë themelues, asnjë qytetar, që, mbi të gjitha, do Shqipërinë.
Gjatë gjithë kësaj kohe, kryefjala jonë ka qenë “BASHKIMI”, sepse asnjëherë nuk kemi pasur dyshimin se pavarësisht divergjencave, kundërshtarët nuk janë ata që mendojnë ndryshe brenda familjes së madhe të Partisë Demokratike, por kundërshtari ynë i vetëm është një dhe vetëm një: sekti Rama në pushtet!
Jo bashkim me përjashtime, por bashkim, që nuk përjashton ASNJË demokrat nga proceset e riorganizimit dhe fton të gjithë kontributorët që nga 1990 e deri më sot. Sepse, në fund të fundit, duhet bashkim nëpërmjet diversitetit, legalizimit dhe respektimit të fraksioneve; debatit të lirë e lirisë së shprehjes së mendimit ndryshe!
Procesi i riorganizimit të Partisë Demokratike në qendër dhe në bazë aktualisht po bëhet me një përgjegjësi të lartë ndaj Partisë Demokratike, demokratëve të bashkuar dhe shqiptarëve, të cilët qëllimin e tyre final kanë përballjen me sektin Rama, për të fituar në zgjedhjet e ardhshme.
Harxhuam shumë kohë të çmuar e energji në luftën tonë të brendshme. Ndoshta u bënë edhe gabime nga të dyja palët. Gabime në organizim që krijuan idenë e mënjanimit të padrejtë të ndonjë demokrati, por që do të korrigjohen gjatë rrugës. Duhet që edhe ne, drejtuesit e lartë të PD dhe deputetët të kërkojmë ndjesë. Me qytetari, ndershmëri dhe sinqeritet. Të gjithë deputetët pa përjashtim e fituam mandatin nga puna, përpjekjet, përkushtimi i demokratëve të thjeshtë. Ndaj duhet të dimë të mbajmë edhe përgjegjësi! Për të mirën e Partisë Demokratike, demokratëve, Shqipërisë e shqiptarëve.
Natyrisht, këtë regjim, e rrëzon vetëm një Parti Demokratike, e bashkuar, e hapur dhe e fortë; e cila duke respektuar votën e lirë, diversitetin e ideve, lirinë e shprehjes, fraksionet dhe respektimin e tyre; do të jetë fituese, do të përthithë të gjitha forcat progresiste të shoqërisë shqiptare, do të jetë SHPRESË për të ardhmen dhe ASPIRATË për ndryshim.
Duke besuar thellësisht tek BASHKIMI, unë jam i bindur që në Kuvend do të marrin pjesë të gjithë deputetët, anëtarët e Këshillit Kombëtar, drejtuesit e vjetër dhe të rinj të degëve e strukturave në bazë, sepse vetëm kështu i shërbejmë procesit të ringritjes së partisë dhe interesit të demokratëve.
Sot flitet shumë për Bashkimin, por duhet punuar edhe më shumë për Bashkimin real, sidomos kur ndonjëri punon ende për përjashtimin, pengimin, ndarjen! Një gjë e tillë do të ishte katastrofike! Asnjë gabim në riorganizim, asnjë përjashtim ndoshta i padrejtë, asnjë qejfmbetje, nuk duhet të prevalojë mbi Kuvendin bashkues të demokratëve. Askush nuk i shërben bashkimit dhe PD me pengim të Kuvendit të 30 prillit.
Partia Demokratike është aset, është “pronë” e të gjithë demokratëve.
Vetëm kështu PD mund të përmbushë misionin e saj të madh si opozitë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim i ngritur mbi korrupsionin, vjedhjen e qytetarëve dhe vjedhjen e shpresës, varfërimin dhe largimin e tyre nga Shqipëria.
Sepse kundërshtari i vërtetë i demokratëve dhe i shqiptarëve është Rama dhe sekti i tij!