Ndërkohë që Lulzim Basha përbetohej se do të çmontonte ‘aferën e inceneratorëve’, njerëzit pranë tij krijuan lidhje financiare me grupin e drejtuar nga Klodian Zoto. Të dhënat e administratës tatimore tregojnë se në Tetor 2021, kompania ‘Shkëlqimi 07’, në pronësi të Shkëlqim Kapllanaj, ka marrë një pagesë me vlerë rreth 80 milionë lekë nga koncensionari i plehrave të Fierit, ‘Integrated Technology Waste Treatment’.
Pronari i kompanisë është vëllai i Agron Kapllanaj, një prej njerëzve më të afërt të ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pagesa e kryer për ‘Shkëlqimi 07’ është pjesë e një kontrate sipërmarrjeje, të nënshkruar ndërmjet Kapllanajt dhe përfaqësuesit të Klodian Zotos në Shtator të vitit 2021, për një vlerë totale prej rreth 80 milionë lekë.
Agron Kapllanaj është një prej mbështetësve kryesorë të Bashës, ndërkohë që kompanitë e familjes së tij kanë përfituar miliona nga tenderat dhe koncensionet e dyshimtë të qeverisë ‘Rama’. ‘Shkëlqimi 07’ është një prej fituesve të tenderave multi-milionësh, në kuadër të Rindërtimit të zonës ‘5 Maji’ në Tiranë. Projekti është kundërshtuar nga dhjetra familje, të cilave u shkatërrohen shtëpitë në atë zonë.
Por, gjatë kohës që drejtohej nga Basha, Partia Demokratike nuk e ngriti asnjëherë zërin për atë që konsiderohet prej qytetarëve si aferë financiare me Rindërtimin. Njëlloj, Basha dhe mbështetësit e tij, krijuan një komision farsë për hetimin e inceneratorëve, në përfundim të të cilit publiku nuk arriti të kuptonte se ku ishte korrupsioni qeveritar. Kakofonia e krijuar nga Basha me inceneratorët duket se ka pasur qëllim që të fshehë raportet klienteliste të njerëzve të tij me kompanitë e inceneratorëve. /Syri.net