Zbardhen të tjera detaje si e përdorën Habilajt makinën dhe skafin e Tahirit

Zbardhen të tjera detaje nga dosja e rekursit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dorëzuar në Gjykatën e lartë për Saimir Tahirin.

Gati 40 ditë pasi ish-ministri shkoi në qelitë e burgut për të kryer një dënim me 3 vjet e 4 muaj burg, SPAK e ka ridërguar çështjen e tij në Gjykatën e Lartë. Në këtë gjykatë, SPAK kundërshton vendimin e Apelit të Posaçëm të 2 shkurtit të këtij viti, që la të pandryshuar shpalljen fajtor të Tahirit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” por shfuqizoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke detyruar dërgimin e ish-zyrtarit të lartë në burg.

Sipas rekursit të depozituar nga SPAK, Gjykata e Apelit ka gabuar, kur në vlerësim të provave dhe argumenteve të paraqitura në proces, ka cilësuar akuzën penale ndaj të pandehurit Tahiri si “shpërdorim detyre”. Sipas prokurorëve të SPAK, ish-ministri duhet të fajësohej për “trafik të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, vepra për të cilat në vijimësi ata kanë kërkuar 12 vjet burg për të. Në dosje zbardhen detaje që tregojnë lidhjen e Tahirit me Habilajt.

Lidhjet e Tahirit me Habilajt konfirmohen nga:

-Shërbimet e vazhdueshme të kryera nga shtetasit Artan Habilaj dhe Moisi Habilaj ndaj të pandehurit Saimir Tahiri me rastin e lëvizjeve të tij në Greqi në gusht 2014 dhe për riparimin e mjetit lundrues Aura, ku në shtator 2014, Moisi Habilaj është përfshirë dhe angazhuar drejtpërdrejtë vetë.

-Përdorimi nga i pandehuri Saimir Tahiri dhe bashkëshortja e tij e automjetit me targa AA003Gb dhe pas shitjes shtetasit Artan Habilaj, në disa raste përgjatë vitit 2014. Lëvizjet mbështesin faktin se mes tyre janë mbajtur marrëdhënie të qëndrueshme.

-Udhëtimi në Itali në të njëjtën kohë vajtje-ardhje me të njëjtin itinerar dhe destinacion i Moisi Habilajt, i babait të të pandehurit Saimir Tahiri dhe bashkëshortes së të pandehurit Saimir Tahiri, në datat 08.07.2014-10.07.2014, madje del qartë nga përgjimet se Moisi Habilaj dhe Bashkim Tahiri gjendeshin bashkë në banesë/hotel.

-Ekzistenca e mjaft numrave telefonikë të përbashkët në fluksin e komunikimeve telefonike të të pandehurit Saimir Tahiri dhe Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe Artan Habilaj.

-Komunikimet e shpeshta dhe të drejtpërdrejta telefonike të Moisi Habilajt me Evi Robo, lidhja e afërt e të pandehurit Saimir Tahiri në detyrën e drejtorit të inspektimit në Ministrinë e Brendshme, në të njëjtën periudhë që i pandehuri Saimir Tahiri ka ushtruar detyrën e Ministrit të Brendshëm.

Gjithashtu:

-Duke lëvizur me automjetin që ishte në emër të Ministrit të Brendshëm, ndërkohë që përdorej edhe nga vetë i pandehuri Saimir Tahiri dhe bashkëshortja;

-Duke pohuar në përgjime se ka blerë dhurata dhe ka dhënë para për Saimir Tahirin dhe familjarët e tij;

-Duke pasur parasysh nga ana tjetër edhe deklarimet e Antonio Riela, sipas të cilit Moisi Habilaj e qetësonte duke i thënë se një person i rëndësishëm në Shqipëri e mbronte dhe e lejonte të eksportonte këto sasi të madhe marijuane;

-Deklarimet e shtetases Brunilda Alikaj, sipas të cilës, kur e ka pyetur Moisi Habilajn se çfarë marrëdhënie kishte me Saimir Tahirin, ai në një moment i ka thënë se e kishte ndihmuar në disa raste, por pa i treguar për çfarë e ç’rast konkret;

-Deklarimet e kapitenit të kapitenerisë së Portit Vlorë, Dhionis Andoni,sipas të cilit, Moisi Habilaj kur është paraqitur për të nxjerrë leje nisje për në Itali për mjetin lundrues Auras, që të riparohej në shtator 2014, kishte shënuar emrin e shtetasit Saimir Tahiri si kapiten të skafit dhe se në fakt nga punonjësit e policisë dhe nga opinioni i tyre, njihej se ky skaf përdorej nga ana e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

-Faktin se Moisi Habilaj ka lëvizur me mjetin lundrues Aura, që përdorej nga i pandehuri Saimir Tahiri, për të kryer shërbime në Itali;

Si dhe shërbimet e vëllait të tij, Artan Habilaj, ndaj Ministrit të Brendshëm.

About Redaksia

Check Also

Deklarata e fortë e ish-kreut të Prokurorisë: Si u zhdukën përgjimet e krerëve të bandave me majat e politikës

Nga Besim Hajdarmataj  Hetimet e organeve ligjzbatuese kundër krimit të organizuar të profilit të lartë nxisin …

Leave a Reply