Vizita fiasko e Agron Gjekmarkaj nga Washington DC

Nga Elida BUÇPAPAJ

“Intelektuali?, pyet Albert Camus dhe përgjigjet: “Intelektual është dikush, mendja e të cilit shikon veten.” Dhe më tutje Camus shton “Më pëlqen kjo, sepse jam i lumtur që jam dy gjysma, edhe vëzhguesi edhe i vëzhguari”!

Intelektuali është njeri i mendimit dhe veprimit, është guximtar i të sotshmes dhe të nesërmes. Një intelektual nuk mund të gënjejë, nuk mund të shprehë të kundërtën e asaj që mendon, nuk mund të jetë konformist. Camus e quan antikonformistin rebel. “Kush është rebeli ?” Pyet ai? Dhe përgjigjet vetë: “Një njeri që thotë “Jo”. Që nuk e pranon rrenën, qoftë e mbështjellë me një ambalazh të shkëlqyer për të manipuluar sa më mjeshtërisht sikur mund të jetë flamuri i dashur me viza dhe yje!

“Ndershmëria intelektuale është një krim në çdo lloj regjimi totalitar”, thotë Orwell, ndërsa është tipari i çdo intelektuali sikurse “shqiptimi i të vërtetës është akt revolucionar, që të tjerët të dëgjojnë atë që nuk duan”.

Amerika është aleati jetik i shqiptarëve dhe shqiptarët duan t’ia kthejnë vetëm me mirënjohje Amerikës, edhe kur në dukje është e pamundur, sepse nuk është lehtë të merresh me një ambasadore të emëruar nga Potus, por që nga veprimet e saj ngjan me një Ponc Pilate, që duke fërkuar duart me plot cinizëm po e dorëzon demokracinë e brishtë shqiptare në duart e gabuara.

Këtë hyrje e bëra për Agron Gjekmarkajn, me profil intelektuali por me veprime mjerane konformisti, edhe kur është në rrezik demokracia dhe vetë pluralizmi shqiptar dhe kur Shqipëria me një sistem hibrid është më afër se kurrë një narkoshteti.

Këtë ndjesi përftova duke lexuar intervistën e deputetit të PD tek Zëri i Amerikës, ku konstatoj me trishtim se Agron Gjekmarkaj i ha fjalët e tij, se ato që i thotë dje i ha sot dhe ato që i thotë sot i çthotë nesër.

Tek intervista e Zërit të Amerikës ai është i prezantuar si nënkryetar i PD dhe nënkryetar i Kuvendit, nga ku është dorëhequr. Agron Gjekmarkaj e postoi në faqen e tij zyrtare në Facebook intervistën e tij tek ZiA, por ua hoqi të drejtën komentuesve të shprehin mendimet e tyre!

Pas humbjes në zgjedhjet e 6 marsit, Agron Gjekmarkaj tek Opinion i Blendi Fevziut tha tekstualisht se ai e dha dorëheqjen sepse lexoi vullnetin e shumicës. “Në demokraci vendosin numrat dhe unë tani jam pakicë”, tha Agron Gjekmarkaj tek Opinion.

Bravo! Shumë bukur! Këtu të qëndronte. Por tek Zëri i Amerikës Agron Gjekmarkaj sikur të ishte në gjendje konfuzionale pyetjes së gazetares se “kush e përfaqëson sot PD” iu përgjigj se: “Institucioni më legjitim që sot Partia Demokratike ka është grupi i saj parlamentar…., ndërsa ato që kemi parë nga dhjetori e këndej, janë thjesht procese që përfaqësojnë një pjesë dhe dëshirat e një individi apo grupi të caktuar rreth tij”.

Po xhongler amator qenka Agron Gjekmarkaj? Po përse e dha atëherë dorëheqjen?

Siç e shihni, atë që Gjekmarkaj e tha tek Opinion e çtha tek ZiA. Kjo nuk është fare serioze për një deputet por është në stilin manipulator të seguaçëve të Lulzim Bashës.

Unë po i bëj një pyetje të thjeshtë Agron Gjekmarkajt:

Përse fitoi më 25 prill dhe humbi më 6 mars?

Kur Gjekmarkaj tha tek ZiA “ato që kemi parë nga dhjetori e këndej” e ka fjalën për Kuvendin e 11 dhjetorit, referendumin e 18 dhjetorit, zgjedhjet e 6 marsit dhe vendimin e Gjykatës, plus imagjinoj se kishte marrë info edhe se gjyqtarja Muça e kishte pranuar ankimin e Alibeajt. Dhe “fap” e kthen fletën prapë Agron Gjekmarkaj dhe i shumëzon me zero numrat, që e shtytën të jepte dorëheqjen, numra që janë shumë të rëndësishëm, se shprehin vullnetin e bazës së PD dhe Forumit më të lartë të saj, që i ka delegjitimuar emërimet e Lulzim Bazës pas Kuvendit farsë të 18 dhjetorit, çka do të thotë se Agron Gjekmarkaj nuk është as nenkryetar i PD dhe as nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Që do të thotë se kur ai u dorëhoq duke llogaritur se kishte kaluar në minorancë, dha një show mediatik për profanët se, në fakt, ai në kēto dy poste ishte i emëruari i Lulzim Bashës, i cili në Kuvendin e 11 dhjetorit i kishte humbur numrat, shumicën dhe nuk ishte më kryetar i PD.

Unë do ta pyesja Agron Gjekmarkajn:

A e njeh Gjekmarkaj Kuvendin e 11 dhjetorit?

A e njeh Gjekmarkaj vendimin e 24 marsit të Gjykatës, që i dha të drejtë Kuvendit të 11 dhjetorit?

A e njeh Gjekmarkaj Kuvendin farsë të 18 dhjetorit, ku u pretendua që në sallën me kapacitet 1960 ndenjëse ishin ulur 5004 delegatë?

A ishte humbja e 6 marsit largim i elektoratit të PD së nga grupi i Lulzim Bashës, Alibeajt, Agron Gjekmarkajt me shokë?

Dhe, në fund, a ka grupi i deputetëve të Lulzim Bashës rolin e një Kolone të Pestë, instrument në duart e Edi Ramës për eleminimin e PD, opozitarizmit, çka e kthen Shqipërinë në një diktaturë me një opozitë marionetë?

Të gjitha ngjarjet e ndodhura në PD, partinë kryesore të opozitës, prej shtatorit te 2021 e deri sot janë të një rëndësie madhore, për fatin e demokracisë në Shqipëri, jo për fatin e Sali Berishës, ndërsa Agron Gjekmarkaj nën dritën e reflektorëve i injoron dhe shtrëmbëron publikisht, në mënyrë skandaloze.

Normalisht, Agron Gjekmarkaj do të duhej t’i përgjigjej gazetares së Zërit të Amerikës se “PD-në e përfaqëson forumi i saj më i lartë ” të cilin e njohu Gjykata, por Agron Gjekmarkaj u bë rishtaz gazi i botës, duke i qëndruar besnik Yuri Kim pa marrë parasysh se kjo besnikëri e verbër që bie ndesh me principet e demokracisë amerikane e ktheu në humbës e minorancë më 6 mars.

Më tutje gazetarja e pyeti: “Cili është qëllimi i vizitës tuaj në Uashington?, Agron Gjekmarkaj u përgjigj me një retorikë folklorike: “Unë jam shumë i nderuar që gjendem në Uashington. Kam një moment krenarie në impenjimin tim publik, faktin që jam ftuar dhe jam pritur në Departamentin e Shtetit, apo dhe në vizita të tjera të rëndësishme që kam patur në institucione të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre tre ditëve që jam në Uashington.”

Pra, siç e shihni, Agron Gjekmarkaj nuk përmend asnjë emër zyrtari, asnjë emër zyre, as një emër institucioni, pra vizita e tij është krejt anonime, nuk ka lënë asnjë shenjë dhe asnjë gjurmë! Ka kryer takime më tepër kurtuazie, por nuk është pritur zyrtarisht deri tani as në Kongresin apo Senatin Amerikan.

Por gjithësesi nga retorika butaforike nuk hoqi dorë dhe, për të kënaqur deri në fund qejfin e Ambasadores Yuri Kim, Agron Gjekmarkaj tha se “nuk do të jetë asnjëherë as deputet i Sali Berishës, as i Lulzim Bashës, por deputet i Lezhës”!

Tepër vonë është kujtuar për elektoratin e Lezhës, i cili më 6 mars i thanë “jo” Gjekmarkajt, pasi ai nuk përfaqëson më vullnetin e tyre!

Agron Gjekmarkaj i humbi votuesit e Lezhës, sepse e tradhtoi këtë elektorat. Agron Gjekmarkaj i pas 9 shtatorit e mohoi Agron Gjekmarkajn të cilin elektorati i Lezhës e votoi më 25 prill 2021, sepse ai u bë aleat me Edi Ramēn për të pushkatuar dhe eleminuar opozitën dhe pluralizmin politik.

Një Shqipëri pa opozitë, apo me opozitë buratine nuk është në interes të Amerikës. Shqipëria duhet të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, por de facto është me regjim hibrid me shkitje galopante drejt një sistemi totalitarist.

Në interes të Amerikës dhe Perëndimit është institucionalizimi në Shqipëri i një opozite reale të mbështetur në themele të shëndosha mbi votën e lirë, me qëllim që të ngrihet demokracia pas 30 vjet dështimi, prandaj shumica e PD, dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit doli me kauzën e “Rithemelimit të PD”; në dëm të interesave amerikane dhe Perēndimore vepron Alibeajt pas largimit të Lulzim Bashës, edhe Agron Gjekmarkaj. Në dëm të interesave Amerikane po vepron edhe Yuri Kim!

Të kthehemi tek Sali Berisha, i larguar nga drejtimi i shtetit prej 2013, profili i tij njihet si një aleat i Aleancës Euro-Atlantike dhe Perëndimit. Sali Berisha në moshën gati 78 vjeçare po luan rolin e fitilit për organizimin e opozitës në Shqipëri, ndryshe nga Edi Rama, që sot simbolizon një fuçi baruti për paqen dhe stabilitetin e Shqipërisë e rajonit pasi gjatë nëntë viteve në pushtet ka uzurpuar çdo shtyllë të shtetit, ndërsa krimi i organizuar, droga dhe mafia janë ulur këmbēkryq në vendin e shqipeve.

 Vizita e Agron Gjekmarkajt në Vatër

Natyrisht pritej që Agron Gjekmarkaj ta vizitonte Vatrën, si përfaqësues i opozitës buratine në duart e Edi Ramës.

Prej më se një viti kam shkruar se lidërshipi i Vatrës është kapur nga kryeministri i Shqipërisë, i cili nuk po lë gjë pa kapur, aq të gjata i ka tentakulat, aq të fryrë i ka xhepat për të korruptuar kë të mundë. Me këtë deduksion kam dalë duke analizuar veprimet e kryetarit të Vatrës Elmi Berisha, që fillojnë nga shkelja e Amendamentit të parë të Kushtetutës Amerikane deri tek vendimet arbitrare pa marrë konsensusin e forumeve të Vatrës. Elmi Berisha sillet si padron i Vatrës dhe Diellit!

Ishte Elmi Berisha që nuk e lejoi Vatrën të mbështeste Foltoren e Berishës në New Jersey, me pretekstin se Federata Pan shqiptare është një OJQ pra e depolitizuar dhe është prapë Elmi Berisha që organizon në Vatër pritjen e një deputeti që  rishtas i është kundërvënë shumicës së PD-së, të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit. T’i kundërvihesh shumicës së PD-së dmth të jesh në krahun e Edi Ramës.

Në ftesë edhe Vatra e quan Agron Gjekmarkajn nënkryetar i Kuvendit. Kjo nuk është e vërtetë. Agron Gjekmarkaj është vetëm deputet i PD.

Ajo që më bëri përshtypje është se Agron Gjakmarkaj po shkoka në Vatër për të folur për 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA!

Nuk i takon Gjekmarkajt ky mision. Së pari, se Agron Gjekmarkaj nuk është historian. Për këto marrëdhënie njëshekullore mund të flasë në Vatër zotëri Frank Shkreli, që ka qënë pjesë e grupit, pra dëshmitar kur pas rrëzimit të diktaturës këto marrëdhënie u rivendosën,  i cili po ashtu ka një kontribut të shquar si gazetar veteran tek Zëri i Amerikës. Frank Shkreli në një nga opinionet e tij ka shkruar se ai nuk e njeh Yuri Kim si ambasadore të vendit të tij. Frank Shkreli e bëri këtë pohim të vështirë, nga pozitat e një personaliteti të shquar amerikan që e do me përkushtim Atdheun e tij, SHBA.

Pra edhe tek Vatra, Agron Gjekmarkaj ftohet jo si përfaqësues i opozitës, por i antiopozitës ose i opozitës marionetë.

Dua ta mbyll këtë opinion me një batutë të poetit të mirënjohur Bardhyl Londo, i ndarë nga jeta pak kohë më parë, që ka qenë shumë mik e koleg me Agron Gjekmarkajn. Pak përpara se sa të largohej nga kjo botë, poeti Bardhyl Londo që ka qenë edhe deputet i PD do të shkruante: “Kam parë që këto ditë se Facebook është mbushur me foto të Beatles dhe liderit të tyre John Lennon. Po a e dini që John Lennon u shpall non-grata në Amerikë”! Ishte i sëmurë Bardhyl Londo, me një këmbë në varr kur i thonë, por e shprehu mendimin e tij. Non-grata është shpallur edhe Charlie Chaplin, autori i The Great Dictator.

A i ka lexuar Agron Gjekmarkaj statusin e mikut të tij poet?

About Redaksia

Check Also

Fundosje totale e SPAK në llumin e pandëshkueshmërisë rilindase!

Nga Petrit VASILI Edhe shqiptari mē i fundit përfshirë edhe socialistët e ka shumë të …

Leave a Reply